Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi nga konferenca për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se SHBA duhet të vendosë tarifa për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, në vend që ky kontroll të mbetet në duart e Iranit.
“Po sikur t’i vendosim ne tarifat? Do të preferoja këtë, sesa t’i lëmë ata,” u shpreh Trump, duke lidhur këtë ide me epërsinë ushtarake që, sipas tij, SHBA ka arritur në konflikt.
Deklarata vjen në një moment kur Irani ka shpallur një sistem të ri tarifash për cisternat që kalojnë në këtë korridor strategjik, duke e paraqitur si ushtrim të sovranitetit të tij mbi zonën.
Trump theksoi se rihapja e Ngushticës së Hormuzit është një kusht thelbësor për çdo marrëveshje për përfundimin e luftës.
“Duhet të kemi një marrëveshje që është e pranueshme për mua, dhe pjesë e saj do të jetë lëvizja e lirë e naftës dhe e çdo gjëje tjetër,” deklaroi ai.
Megjithatë, ai pranoi se kjo çështje është më komplekse se objektivat e tjera të konfliktit, ndërsa negociatat vazhdojnë.
Presidenti amerikan hodhi poshtë edhe një propozim ndërkombëtar për armëpushim 45-ditor, duke e cilësuar atë “të pamjaftueshëm”. Ky plan konsiderohet si një përpjekje e fundit për të shmangur goditjet e mëdha ndaj infrastrukturës iraniane, të cilat Trump i ka paralajmëruar nëse ngushtica mbetet e bllokuar.
I pyetur nëse do të pranonte një marrëveshje që nuk përfshin rihapjen e ngushticës, Trump e bëri të qartë se kjo është një prioritet kryesor.
“Është një prioritet shumë i madh,” tha ai.
Në të njëjtën kohë, presidenti shprehu dyshime mbi kapacitetin aktual të Iranit për të minuar ngushticën, duke sugjeruar se Teherani mund të mos ketë më mjetet për ta bërë këtë.
Deklaratat e tij tregojnë se kontrolli mbi Hormuzin është kthyer në një pikë qendrore të konfliktit, me implikime të drejtpërdrejta për tregtinë globale të energjisë dhe balancat gjeopolitike në rajon.
Lini një Përgjigje