Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre ushtarake pranë Iranit, duke zhvendosur më shumë se 150 avionë luftarakë në baza në Evropë dhe Lindjen e Mesme, pas përfundimit pa rezultat të raundit të dytë të bisedimeve bërthamore më 17 shkurt. Lajmin e bën të ditur Washington Post, duke iu referuar të dhënave të fluturimeve dhe imazheve satelitore që ka analizuar.
Sipas raportimit, prania aktuale e forcave amerikane në rajon renditet ndër më të mëdhatë të dy dekadave të fundit, që nga periudha para ndërhyrjes në Irak në vitin 2003. Kjo rritje vjen pas deklaratave të presidentit Donald Trump, i cili ka paralajmëruar se do të sulmojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje për kufizimin e programit bërthamor iranian, pa specifikuar objektivat e mundshëm. Zyrtarë iranianë kanë deklaruar se një marrëveshje është e mundur, por kërkon kohë.
Ekspertë që kanë analizuar dislokimin e forcave theksojnë se ai tejkalon mobilizimin që parapriu goditjet amerikane ndaj programit bërthamor iranian në qershor të vitit të kaluar. Sipas tyre, mjetet e grumbulluara sugjerojnë përgatitje për një fushatë disaditore ajrore, pa përfshirë pushtim tokësor.
Dhjetëra avionë shtesë ndodhen në bordin e aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford, e cila u identifikua të hënën në det të hapur pranë Kretës. Kjo është aeroplanmbajtësja e dytë e dërguar në Lindjen e Mesme, duke çuar në rreth një të tretën pjesën e anijeve aktive të flotës amerikane të dislokuara në rajon.
Dana Stroul, ish-zëvendësndihmëse e sekretarit amerikan të Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe aktualisht drejtoreshë kërkimi në Washington Institute, deklaroi për Washington Post se “niveli i lartë i forcës së përqendruar i jep ushtrisë amerikane mundësinë të zbatojë çdo vendim të presidentit Trump — nga një fushatë e zgjatur me intensitet të lartë deri te goditje më të kufizuara dhe të synuara”.
Nëse administrata planifikon një fushatë ajrore disa javore, do të nevojiten mjete shtesë ushtarake, vlerëson Mark Cancian, këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Zyrtarë të Pentagonit kanë pranuar fluksin e madh të forcave drejt Lindjes së Mesme, por kanë refuzuar të komentojnë detaje, duke përmendur arsye të sigurisë operacionale.
Më shumë se gjysma e avionëve të sapodislocuar kanë zbarkuar në baza në Evropë, sipas imazheve satelitore dhe të dhënave të gjurmimit të fluturimeve. Sipas Gregory Brew, analist i lartë për Iranin në Eurasia Group, vendosja e tyre në Evropën Lindore — jashtë rrezes së shumicës së raketave iraniane dhe jo në bazat e Gjirit — u mundëson Shteteve të Bashkuara të pozicionojnë strategjikisht pajisje dhe personel pa krijuar objektiva të drejtpërdrejtë për Iranin.
Shumica dërrmuese e avionëve të identifikuar në të dhënat e fluturimeve janë transportues dhe avionë furnizimi në ajër. Avionët luftarakë shpesh çaktivizojnë sinjalet e gjurmimit, gjë që e vështirëson monitorimin e tyre, përveç rasteve kur identifikohen përmes imazheve satelitore.
Baza ajrore Muwaffaq Salti në Jordani përbën një nga destinacionet kryesore të mjeteve ajrore amerikane në rajon. Imazhet satelitore të së premtes tregojnë mbi 60 avionë luftarakë, përfshirë më shumë se një duzinë F-35 të rreshtuar në pistë. Këta avionë përdoren shpesh për neutralizimin e mbrojtjes kundërajrore të kundërshtarit dhe për krijimin e korridoreve më të sigurta për avionë të tjerë. F-35 disponon gjithashtu kapacitete të avancuara për luftë elektronike.
Sipas të dhënave të fluturimeve dhe një analize të pavarur nga studiuesi Stefan Watkins, SHBA-të kanë dislokuar ditët e fundit më shumë se një të tretën e flotës aktive të avionëve të paralajmërimit të hershëm E-3G Sentry në Evropë dhe Lindjen e Mesme. I pajisur me një kupolë të madhe rrotulluese radari, E-3G mund të identifikojë objektiva dhe të kryejë mbikëqyrje në çdo kusht atmosferik, duke ofruar pamje në kohë reale të aktivitetit ajror.
Lini një Përgjigje