Bisedimet e paqes u ndërprenë në mars pasi Izraeli sulmoi Gazën, kur armëpushimi i rënë dakord më parë ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve se si të vazhdohej më tej.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i bëri thirrje Izraelit dhe Hamasit të arrijnë një marrëveshje në Rripin e Gazës, me qëllim kthimin e pengjeve të rrëmbyera më 7 tetor 2023.
“Bëni marrëveshjen në Gaza. Ktheni pengjet”, shkroi ai, duke i dërguar një mesazh të qartë Benjamin Netanyahut që të arrihet një marrëveshje për armëpushim.
Postimi i Trump u publikua disa orë pas thirrjes së re publike të Presidentit drejtuar prokurorëve izraelitë për të përfunduar gjyqin kundër Netanyahut.
Presidenti amerikan pretendoi se udhëheqësi izraelit “po negocion tani një marrëveshje me Hamasin, e cila do të përfshijë kthimin e pengjeve”.
Ndërhyrja e Trump vjen në një moment kritik për negociatat, ndërsa Uashingtoni vazhdon të ushtrojë presion për të arritur një armëpushim dhe lirimin e sigurt të civilëve të mbajtur në Gaza.
Në lidhje me konfliktin Izrael-Palestinë, Trump edhe dje përsëriti se marrëveshja është afër, por shprehu shqetësim për çfarë po ndodh me ndihmat atje.
“Mendoj se është afër marrëveshja për armëpushim në Gaza. Sapo fola me disa nga njerëzit e përfshirë dhe ajo që po ndodh është e tmerrshme. Ne mendojmë se brenda javës së ardhshme do të arrijmë një armëpushim dhe po furnizojmë, siç e dini, me shumë para dhe ushqim në atë zonë, sepse duhet dhe e kam seriozisht kur them duhet. Në teori, ne nuk jemi të përfshirë në të, por në fakt jemi të përfshirë, sepse njerëzit po vdesin. Dhe unë shoh ato turma njerëzish që nuk kanë ushqim, nuk kanë asgjë”, tha Trump.
“Ne jemi ata që po çojmë ndihma atje, por ata që supozohet të kujdesen për njerëzit përfundojnë duke vjedhur ushqimin dhe duke e shitur atë. Ju i shihni radhët e njerëzve që marrin vetëm një vakt dhe është shumë keq që vendet e tjera nuk po ndihmojnë. Askush nuk po ndihmon, ne po e bëjmë këtë sepse duhet ta bëjmë këtë në baza humanitare”, shtoi Trump./ Pamfleti
Lini një Përgjigje