
Më shumë se 2.000 punonjës të ekipeve të shpëtimit nga 27 vende janë angazhuar në Venezuelë për të gjetur personat e bllokuar nën rrënoja pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin të mërkurën. Operacioni po mbështetet dhe koordinohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ndërkohë, numri i viktimave vijon të rritet, ndërsa një vlerësim paraprak llogarit se dëmet fizike të shkaktuara nga fatkeqësia arrijnë në rreth 6,7 miliardë dollarë.
Me kërkesë të Qeverisë së Venezuelës, 44 ekipe ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit urban (USAR) kanë dislokuar 2.245 specialistë dhe 140 qen të trajnuar për kërkim, me qëllim nxjerrjen e të mbijetuarve të mundshëm nga ndërtesat e shembura dhe ofrimin e ndihmës së parë mjekësore. Këtë e bëri të ditur të shtunën Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
OCHA ka aktivizuar mekanizmat e saj të reagimit emergjent dhe po mbështet mbërritjen dhe koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vend.
Ekipet e shpëtimit vijnë nga Argjentina, Brazili, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Ekuadori, El Salvadori, Guatemala, Meksika, Panamaja, Peruja dhe Republika Domenikane, si edhe nga Gjermania, Çekia, Spanja, Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Jordania, Lituania, Holanda, Katari, Mbretëria e Bashkuar, Serbia, Siria, Zvicra dhe Turqia.
Sipas të dhënave të autoriteteve deri më 27 qershor, të paktën 1.430 persona kanë humbur jetën dhe 3.238 të tjerë janë plagosur si pasojë e dy tërmeteve shkatërruese që goditën veriun e Venezuelës më 24 qershor.
Dëme të barabarta me 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto
Ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, një vlerësim paraprak satelitor i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) vlerëson se tërmetet kanë shkaktuar dëme fizike direkte prej rreth 6,7 miliardë dollarësh, ekuivalente me afërsisht 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.
Vlerësimi, i kryer përmes mjetit të analizës digjitale të shpejtë RAPIDA, parashikon që dëmet mund të variojnë nga 4,7 deri në 8,7 miliardë dollarë. Kjo shifër përfshin dëmet në banesa dhe asete ekonomike, por nuk llogarit dëmtimet e infrastrukturës, ndërprerjen e aktivitetit ekonomik apo kostot afatgjata të rindërtimit.
Dy tërmetet, me magnitudë 7,2 dhe 7,5 ballë, goditën veriun e Venezuelës dhe u ndjenë edhe në kryeqytetin Karakas, si dhe në shtetet La Guaira, Carabobo, Miranda, Yaracuy dhe Aragua.
Sipas UNDP-së, rreth 8,6 milionë njerëz u ekspozuan ndaj lëkundjeve me intensitet mesatar deri të rëndë, ndërsa rreth 2,1 milionë prej tyre përjetuan goditjet më të forta. Vlerësimi tregon gjithashtu se rreth 1,7 milionë ndërtesa ndodhen në zonat e prekura.
Mundësi për ndërprerje të energjisë elektrike
Të dhënat satelitore tregojnë gjithashtu për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike në disa pjesë të Carabobos, La Guairës, Karakasit dhe Araguas, pas zbulimit të një rënieje të ndriçimit gjatë natës pas tërmeteve.
"Shpejtësia dhe saktësia e vlerësimeve fillestare janë thelbësore për një reagim efektiv", deklaroi Luis Francisco Thais, përfaqësues rezident i UNDP-së në Venezuelë.
"Mjete si RAPIDA na ndihmojnë të marrim vendime më të shpejta, të bazuara në të dhëna, për të mbështetur komunitetet e prekura", shtoi ai.
UNDP bëri të ditur se do të vazhdojë analizimin e imazheve satelitore me rezolucion më të lartë për të mbështetur autoritetet në vlerësimin e numrit të viktimave, zhvendosjes së popullsisë dhe nevojave për rimëkëmbje./ Përshtati "Pamfleti" nga "UN News"
Lini një Përgjigje