TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Nëntor 2025, 12:44

U arrestua në Shqipëri, gjendet i pajetë në qeli bosi turk i kriptomonedhave

Shkruar nga Pamfleti
U arrestua në Shqipëri, gjendet i pajetë në qeli bosi turk i
Faruk Fatih Ozer

Bosi turk i kriptomonedhave i akuzuar për mashtrim me miliona euro është gjendur i pajetë në qeli, i cili akuzohej për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Bosi turk i kripomonedhave Faruk Fatih Ozer, (ish-drejtori ekzekutiv i bursës të kriptomonedhave Thodex) e cila falimentoi, është gjetur i pajetë në qelinë e tij të burgut në qytetin perëndimor turk Tekirdag.

Raportohet se policia po heton rastin ndërsa dyshohet se Ozer ka kryer vetëvrasje.

Ozer, i cili drejtoi Thodex deri në falimentimin e saj në vitin 2021, u dënua dy vite më parë me 11.196 vjet burg nga një gjykatë turke për mashtrim.

Ai kishte braktisur shkollën e mesme dhe themeloi kompaninë Thodex në vitin 2017 ndërsa u arrestua në Shqipëri pas kolapsit të kompanisë. Një gjykatë shqiptare urdhëroi ekstradimin e tij në Turqi në vitin 2022.

Ndërsa aktakuzat fillestare të prokurorit vlerësuan humbjet totale të investitorëve, kur Thodex falimentoi, rreth 24 milionë dollarë, mediat turke raportuan se ai përfitoi deri në 2 miliardë dollarë përmes mashtrimit. Kompania e të dhënave dhe analizës së blockchain-it, Chainalysis, vlerësoi humbjet në 2.6 miliardë dollarë.

Kujtojmë se Faruk Ozer u ekstradua drejt Turqisë në 20 prill të 2023. Gjykata e Lartë i hapi rrugë ekstradimit ndërsa autoritetet e dy vendeve e ekstraduan drejt Turqisë.

Skema e mashtrimit

Faruk Ozer i arratisur prej muajit prill të vitit 2021 akuzohej në Turqi se në bashkëpunim me persona të tjerë ngriti një skemë mashtrimi nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale përmes kompanisë që vetë ai themeloi duke mashtruar rreth 400 mijë persona që investuan në platformën e tij, tashmë të mbyllur.

Autoritetet atje i bllokuan llogaritë bankare të kompanisë THodex ku iu gjetën 16 milionë lira. Sipas mediave turke, në momentin që është arratisur nga vendi, Faruk Ozer kishte me vete një server ku mbahen 108 milion dollar në formë kriptomonedhash. Në Turqi janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të 28-vjeçarit me akuzën e mashtrimit.

Lini një Përgjigje