
Që pas shpërthimit të digës në Kherson, u dha mesazhi se Putin do të përdorë çdo lloj karte që ka në dorë për të mbajtur të gjallë “operacionin e tij special” në Ukrainë.
Tani më Ukraina ka nisur stërvitjet emergjente për t'u përgatitur për "sulm të mundshëm terrorist" në centralin bërthamor të Zaporizhzhia.
“Autoritetet ukrainase kanë nisur stërvitjet në shkallë të gjerë të reagimit emergjent në katër rajone për t'u përgatitur për "një sulm të mundshëm terrorist" në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia (ZNPP) të pushtuar nga Rusia”, njoftoi ministria e energjisë në një postim në Facebook të enjten.
Ekspertët nga firma shtetërore e energjisë e Ukrainës, Energoatom, kanë "zhvilluar disa skenarë të mundshëm të ngjarjeve në ZNPP, të cilat do të praktikohen gjatë stërvitjes", thuhej në postim.
Guvernatori i rajonit Kherson, Oleksandr Prokudin, konfirmoi se stërvitjet ishin nisur atje dhe i kërkoi publikut të përmbahej nga postimi i fotove në internet.
Kremlini ka mohuar më parë një pretendim të bërë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky se Rusia po "konsideron" një "sulm terrorist".
Kujtojmë se termocentrali bërthamor, me gjashtë reaktorë, është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë. Ai u ndërtua kryesisht në epokën sovjetike dhe u bë pronë e Ukrainës pas shpalljes së pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në 1991.
Termocentrali ndodhet në bregun lindor të lumit Dnipro në Ukrainë. Zona dhe kompleksi bërthamor kanë qenë nën kontrollin rus që nga fillimi i luftës, por uzina ende operohet kryesisht nga punëtorë ukrainas .
Lini një Përgjigje