
Qeveritë evropiane janë të irrituara për atë që e shohin si lëvizjen e Ursula von der Leyen për t'u pozicionuar si përfaqësuesja kryesore e BE-së jashtë vendit, duke thënë se gjatë ditëve të para të fushatës SHBA-Izrael kundër Iranit ajo shkoi përtej mandatit të saj.
Në biseda me POLITICO-n, nëntë diplomatë, zyrtarë të BE-së dhe ligjvënës, nga vende të vogla dhe të mëdha evropiane, kritikuan atë që e përshkruan si tejkalim diplomatik të presidentes së Komisionit Evropian. Mosmiratimi i trajtimit të saj të krizës së Iranit vjen përveç kritikave për çështje të tjera të politikës së jashtme, duke përfshirë përpjekjet e Komisionit për të përshpejtuar hyrjen e Ukrainës në BE dhe qasjen e von der Leyen ndaj "Bordit të Paqes" të Donald Trump.
Me konfliktin në Lindjen e Mesme që hyn në javën e dytë, BE-ja ka hasur vështirësi në të folur me një zë të përbashkët. Disa qeveri janë të shqetësuara që von der Leyen duket se po luan rolin që duhet të luajë normalisht shefja e punëve të jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila supozohet të përfaqësojë 27 kryeqytetet. Në ditët e para të krizës, von der Leyen sinjalizoi mbështetje për ndryshimin e regjimit në Teheran dhe zhvilloi jo më pak se një duzinë telefonatash me udhëheqësit e BE-së dhe të shteteve të Gjirit. Ajo ka shprehur vazhdimisht qëndrime publike që shkojnë përtej konsensusit midis anëtarëve të bllokut, thanë kritikët e saj.
“Ndjeva sikur po halucinoja… duke parë Ursula von der Leyen duke telefonuar krerët e shteteve të Gjirit. Ajo nuk ka shërbim diplomatik, flet pa mandat apo pa informacione të inteligjencës. Fjalët e saj nuk kanë vlerë përtej deklaratës së saj individuale”, tha Nathalie Loiseau, një ligjvënëse franceze e qendrës në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.
Roli i koordinimit të politikës së jashtme të bllokut, thanë diplomatët që folën me POLITICO, i takon Kallas, detyra e të cilit është të bashkëpunojë me kryeqytetet dhe të formulojë një qëndrim të përbashkët - edhe nëse ky është shpesh një proces i ngadaltë dhe i mundimshëm. Von der Leyen rrezikon të krijojë konfuzion në marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës, thanë ata.
“Problemi është se presidentja del me ide dhe në një farë mënyre angazhohet ndaj Bashkimit Evropian pa u konsultuar paraprakisht me vendet. Ajo po thotë gjëra që nuk janë në mandatin e saj”, tha një diplomat i lartë i BE-së i përfshirë në diskutimet për politikën e jashtme dhe i cili, ashtu si të tjerët në këtë artikull, iu dha anonimiteti për të folur sinqerisht për çështje të ndjeshme të brendshme.
Këto tensione do të jenë në sfond, ndërsa von der Leyen dhe Kallas do të kryesojnë një konferencë të ambasadorëve të BE-së në Bruksel sot, ku të dy do të mbajnë fjalime kryesore. Komisioni i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se von der Leyen po e kryente punën e saj siç duhet. Ajo po demonstron “udhëheqje politike të politikave të jashtme të Komisionit” në përputhje me traktatet e BE-së, tha një zëdhënës i Komisionit.
“Komunikimi me udhëheqës të tjerë në mbarë botën është pjesë integrale e përgjegjësive të Presidentes von der Leyen, qoftë në mënyrë dypalëshe, shumëpalëshe apo në iniciativa të udhëhequra nga BE-ja, siç është eventi Global Gateway”, i projektuar për të nxitur investimet në të gjithë botën, tha zëdhënësi.
Qëndrimi zyrtar i BE-së mbi luftën e Iranit nuk u përcaktua nga von der Leyen, por u përcaktua nga Kallas në një deklaratë të koordinuar me 27 vendet e Evropës një javë më parë, sipas zëdhënësit. "Deklarata pasqyron qëndrimin e BE-së për këtë çështje", tha zëdhënësi.
Lini një Përgjigje