Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi një vizitë zyrtare në Qipro, ku mori pjesë në një takim trepalësh me presidentin e Qipros Nikos Christodoulides dhe kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, në një moment tensioni të shtuar të sigurisë në rajon.
Pas përfundimit të takimit, tre udhëheqësit dolën me deklarata të përbashkëta, ndërsa Macron theksoi se një sulm ndaj Qipros duhet të konsiderohet si sulm ndaj gjithë Europës.
Në një reagim publik, presidenti francez bëri të ditur se vizita e tij në Qipro u zhvillua me ftesë të presidentit Christodoulides dhe në koordinim me Greqinë.
“Siguria e të gjithë europianëve është interesi ynë i përbashkët. Ne morëm menjëherë masa solidariteti ndaj Qipros, e cila u sulmua nga dronë dhe raketa të shumta”, deklaroi Macron.
Ai njoftoi se Franca ka dislokuar në rajon fregatën “Languedoc” dhe një njësi të mbrojtjes ajrore Mistral, si pjesë e masave për të forcuar mbrojtjen dhe sigurinë në Mesdheun Lindor.
Macron shtoi se një element tjetër i rëndësishëm i këtij angazhimi është prania në zonë e aeroplanmbajtëses franceze “Charles de Gaulle” dhe grupit të saj të betejës, që ndodhen aktualisht pranë Qipros.
“Para se të kthehem në Paris, do të shkoj në aeroplanmbajtësen Charles de Gaulle për t’u informuar nga afër mbi situatën”, u shpreh presidenti francez.
Macron u ndal edhe te tensionet në Liban, duke e cilësuar situatën shumë shqetësuese dhe duke bërë thirrje për uljen e përshkallëzimit. Ai kërkoi që Hezbollahu të ndalë bombardimet, ndërsa i bëri thirrje edhe Izraelit të përfundojë sa më shpejt operacionet ushtarake në territorin libanez.
Presidenti francez njoftoi gjithashtu se po diskutohet krijimi i një misioni ndërkombëtar për sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit, i cili do të shoqërojë anijet tregtare dhe cisternat e naftës, me synim garantimin e lirisë së lundrimit dhe rifillimin gradual të trafikut detar në një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale dhe furnizimin me energji.
À l’invitation du Président Nikos Christodoulides, je suis à Chypre, aux côtés du Premier ministre grec Kyriákos Mitsotakis.
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) March 9, 2026
La sécurité de tous les Européens est notre intérêt commun. Nous avons immédiatement pris des mesures de solidarité avec Chypre,… pic.twitter.com/DVgQ0vgfb4
Lini një Përgjigje