TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Gusht 2025, 19:00

“Vasalët” e lumtur të Europës!

Shkruar nga Gilles Gressani

“Vasalët” e lumtur të Europës!

Ekziston një emër për mospërputhjen midis forcës së axhendës radikale politike të Trump dhe pamjaftueshmërisë së përgjigjes evropiane ndaj saj: "vasalizimi heureuse", një lloj nënshtrimi i gatshëm.

Marrëveshja tregtare midis SHBA-së dhe BE-së e shpallur në fund të korrikut i ka dhënë një goditje të rëndësishme pozicionit global të bllokut dhe shteteve anëtare të tij.

Kjo pengesë është rezultat i nënshtrimit të vullnetshëm të fuqisë më të madhe tregtare në botë ndaj zhvatjes së hapur, me Presidentin Donald Trump që shfrytëzon dobësitë strukturore të BE-së. Ajo që dikur dukej si një trilemë strategjike, midis tregut, demokracisë dhe klimës, tani është ngurtësuar në një kurth sistemik.

Së pari, Trump ka minuar atë që më parë konsiderohej si forca kryesore e BE-së, tregu i vetëm, duke e zbuluar këtë gjigant ekonomik si një xhuxh politik, të pavullnetshëm dhe të paaftë për t'u angazhuar në një luftë pushteti për të mbrojtur interesat e veta ose për të artikuluar një sërë prioritetesh strategjike koherente. Evropa, e cila duket se beson se marrëveshja ishte një hap i nevojshëm për të ruajtur mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, mund të përballet me një surprizë të ashpër në samitin Trump-Putin në Alaskë.

Së dyti, duke kërkuar rritje të investimeve evropiane në gazin natyror të lëngshëm amerikan, Trump tregoi se sa lehtë mund të shpërfillej ajo që supozohej të ishte një objektiv thelbësor i BE-së, axhenda e klimës.

Së treti, Trump ka ekspozuar paaftësinë e BE-së dhe shteteve anëtare për të ngritur një mbrojtje demokratike të legjitimitetit të institucioneve të tyre. Ekziston një emër për mospërputhjen midis forcës së axhendës radikale politike të Trump dhe pamjaftueshmërisë së përgjigjes evropiane ndaj saj: "vasalizimi heureuse" një lloj nënshtrimi i gatshëm.

Qëllimi i Shtëpisë së Bardhë duket se nuk është vetëm të ndikojë në rendin perëndimor, por ta riformësojë atë tërësisht në një hapësirë të gjerë gjeopolitike në të cilën nuk mund të ekzistojë asnjë sovranitet i vërtetë jashtë orbitës së Uashingtonit. Nëse ky vizion radikal realizohet plotësisht, rezultati mund të ngjajë me një version të epokës dixhitale të Paktit të Varshavës: shtetet do të ekzistojnë ende, por do të detyrohen të rreshtohen ose të nënshtrohen.

Ende nuk kemi arritur atje dhe veprimet (ose mosveprimet) e BE-së mund të ndikojnë ende në rezultat. Por fillimet e një sistemi të tillë tashmë po shfaqen, qoftë në sulme ndaj qeverisjes autonome të sferës publike dixhitale, politikës klimatike apo integritetit territorial të aleatëve si Danimarka.

Qëllimi themelor mbetet i njëjtë: të testohen kufijtë dhe të arrihet një tërheqje strategjike. Edhe pse kapitullimi është ri përfytyruar si pragmatizëm, nuk ka asgjë të “lumtur” në lidhje me nënshtrimin e Evropës. Kjo përbën refuzimin e çdo autonomie substanciale në këmbim të mbrojtjes.

Përfitimet e supozuara të këtij rregullimi qëndrojnë kryesisht në shmangien e ndëshkimit shumë të ashpër ose të papritur. Si i tillë, është më shumë një mashtrim mbrojtës sesa një politikë sigurimi afatgjatë. Në një periudhë trazirash të shpejta dhe zhvendosjeje institucionale, kjo zgjidhje u jep sistemeve politike pa drejtim një iluzion të paqartë stabiliteti. Është një dinamikë e kapur në buzëqeshjet e tensionuara në fytyrat e anëtarëve të Komisionit Evropian përkrah një Trumpi triumfues në njoftimin e marrëveshjes tregtare me SHBA-në.

Por lehtësimi i përkohshëm vjen gjithmonë me një kosto. Ai ushqen disfatizëm dhe atrofizon imagjinatën politike. Besimi në pashmangshmërinë e projektit të Trump është hapi i parë drejt pranimit të kushteve të tij. Refrenet e vazhdueshme; "nuk kemi zgjidhje tjetër", "na duhet më shumë kohë", "rreziqet janë shumë të mëdha", fshehin një problem më të thellë: nëse vendet më të zhvilluara të botës janë të pafuqishme, kush, atëherë, mbetet të veprojë?

Ironia është se që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump vazhdimisht ka marrë vetëm atë që i është dhënë. Vendet dhe institucionet vazhdojnë të dorëzohen, duke mos ofruar ndonjë kundërshtim dhe duke i thënë njëri-tjetrit se rezistenca është e kotë.

Megjithatë, rezistenca ekziston. Sondazhet tregojnë se evropianët janë gjithnjë e më armiqësorë ndaj Trump. Fatkeqësisht, institucionet dhe elitat tona politike duket se nuk janë të gatshme ose janë të paafta ta shfrytëzojnë këtë energji të jashtëzakonshme. Kjo paralizë nuk është rastësi. Për të vendosur regjimin e tij të ri, Trump duhet të kapërcejë pengesa të mëdha të jashtme, midis tyre BE-në. Strategjia e tij është t'i bëjë evropianët të dyshojnë në pushtetin e tyre.

Është një narrativë që përshtatet në mënyrë të përkryer me një sistem që është tashmë i bindur për rënien e vet. BE-ja duket e paaftë të përgjigjet dhe i është dorëzuar “agonisë së ngadaltë” të denoncuar nga Mario Draghi, për sa kohë që kolapsi është mjaftueshëm i butë për të lejuar një brez të fundit të zgjasë iluzionin e sigurisë të trashëguar nga paqja e gjatë evropiane.

Ky është një kërcënim ekzistencial për Evropën, megjithëse asgjë në lidhje me të nuk është e pashmangshme. Po, Trump po ndërton një projekt imperial, megjithatë, planet e mëdha shpesh përplasen me realitete të papritura, veçanërisht kur hasin në kundërshtim të vendosur./Përshtati “Pamfleti” nga “Financial Times”

Lini një Përgjigje