Bota26 Shkurt 2024, 14:16

Vdekja e Navalnyt, ekipi i tij rrëfen detajet: U vra gjatë shkëmbimit me një të burgosur rus

Shkruar nga Pamfleti

Vdekja e Navalnyt, ekipi i tij rrëfen detajet: U vra gjatë

Ekipi i Alexei Navalny ka pretenduar se politikani i opozitës ruse u vra qëllimisht me urdhër të Presidentit Vladimir Putin gjatë një shkëmbimi të burgosurish. Sipas tyre, ai mund të lirohej gjatë këmbimit me një vrasës të FSB-së të burgosur në Gjermani.

Sipas Politico, në një video të publikuar në YouTube, aleatja e ngushtë e politikanit të opozitës, Maria Pevchikh tha se pas muajsh lobimi për një shkëmbim të të burgosurve që përfshin Navalny, “në pranverën e vitit të kaluar, plani ynë u miratua”.

“Navalny duhej të ishte i lirë në ditët në vijim sepse kishim marrë një vendim për shkëmbimin e tij”, tha ajo.

Pevchikh shtoi se miliarderi rus Roman Abramovich kishte vepruar si një ndërlidhës personal midis zyrtarëve perëndimorë dhe Putinit në ndërmjetësimin e marrëveshjes.

Pevchikh theksoi se marrëveshja përfshinte Vadim Krasikov, një agjent i FSB-së i burgosur në Gjermani për vrasjen e një ish-komandant çeçen në vitin 2019, dhe “dy shtetas amerikanë”.

Aleatja e Navalny-t shtoi se ajo kishte marrë konfirmimin se një shkëmbim i tillë do të ndodhte, por besonte se Putini më pas ndryshoi mendje.

“Është absolutisht e palogjikshme, irracionale, është sjellje e një mafiozi të çmendur. Por çështja është se Putini është çmendur nga urrejtja për Navalny”, tha ajo.

Kremlini nuk komentoi menjëherë mbi akuzat e ekipit të Navalny.

Më 16 shkurt, një ditë pasi Pevchikh pretendoi se kishte marrë konfirmimin se marrëveshja ishte “në fazat e saj përfundimtare”, u raportua se Navalny vdiq pas një shëtitje në burgun ku mbahej në veri të rrethit Arktik.