TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Gusht 2025, 10:42

Vendosja e trupave paqeruajtëse në Ukrainë, Athina "dezerton" e para Europën

Shkruar nga Pamfleti
Vendosja e trupave paqeruajtëse në Ukrainë, Athina
Udhëheqësit evropianë i bashkohen Presidentit ukrainas Zelensky në takimin me Trump në Shtëpinë e Bardhë @Getty Images

Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, deklaroi se Greqia nuk planifikon të dërgojë trupa në Ukrainë pas përfundimit të luftës, si pjesë e garancive të sigurisë.

“Jo, nuk ka një plan të tillë dhe as nuk po merret në konsideratë një gjë e tillë”, tha ai në një intervistë për televizionin Skai.

Marinakis theksoi se vendime të tilla janë në dorën e secilit shtet anëtar dhe se mbështetja e Greqisë ndaj Ukrainës do të vijojë, por jo në nivel ushtarak.

Ai kujtoi se Athina ka ndihmuar që në fillim me armë, municione dhe automjete BMP-1, por refuzoi më vonë kërkesën për dërgimin e sistemeve raketore Patriot dhe S-300.

Në sfondin e presionit diplomatik, Uashingtoni ka kërkuar nga Greqia të dërgojë në Ukrainë sistemin rus S-300, ndërsa nuk ka ofruar garanci për zëvendësimin me sisteme amerikane.

Nga ana tjetër, Athina i qëndron fort pozicionit se kufijtë nuk ndryshohen me forcë, duke e lidhur këtë qëndrim edhe me përvojën e saj historike në Qipro.

“Greqia respekton të drejtën ndërkombëtare dhe, në asnjë rrethanë, nuk do ta zbutë qëndrimin e saj ndaj shkeljeve të kufijve”, tha Marinakis.

Pentagoni ka nisur të hartojë plane konkrete për garantimin e sigurisë në Ukrainë, nëse lufta me Rusinë merr fund me një marrëveshje Zelensky- Putin të ndërmjetësuar nga Donald Trump.

Nisma pason premtimin e shefit të Shtëpisë së Bardhë se do ta ndihmojë Ukrainën nëse do të arrihet paqja.

Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se nga opsionet është vendosja e trupave europiane në terren. Komandën do ta mbajë Uashingtoni. Trupat mund të qëndrojnë nën flamujt kombëtarë dhe jo nën flamurin e NATO-s. As Pentagoni e as NATO nuk kanë komentuar, por çështja është në diskutim.
Rusia e ka refuzuar idenë. Ministria e Jashtme në Moskë ka thënë qartë se asnjë trupë nga vendet e NATO-s nuk do të pranohet në Ukrainë.

Presidenti Trump ka përjashtuar dërgimin e ushtarëve amerikanë, por nuk ka mbyllur derën për forcat ajrore.

Në një intervistë për “Fox News“, ai tha se SHBA mund të ndihmojnë nga ajri. Me sisteme mbrojtëse. Me teknologji të avancuar. Ndoshta edhe me një zonë të ndaluar fluturimi.

Që nga viti 2022, SHBA ka dërguar miliarda dollarë armë dhe municione. Dërgesat janë ndërprerë disa herë, por janë rifilluar pas kontakteve mes Trump dhe presidentit Zelensky. Administrata amerikane thotë se ndihma do të vazhdojë, kryesisht me armë mbrojtëse.

 

vendosja e trupave paqeruajtëse në ukrainë

Lini një Përgjigje