
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar liderët e Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar për "mbështetjen" dhe "gatishmërinë" e tyre për të vazhduar ndihmën ndaj Kievit në mes të luftës së vazhdueshme me Rusinë.
Gjatë një fjalimi të mbajtur sot, Zelensky theksoi rëndësinë e ndihmës financiare për vitin e ardhshëm, duke e cilësuar atë si "thelbësore" për qëndrueshmërinë e vendit.
"Sot, të gjithë partnerët konfirmuan se vitin e ardhshëm do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, vendin tonë, qëndrueshmërinë tonë, veçanërisht mbështetjen financiare, e cila është thelbësore", deklaroi Zelensky para udhëheqësve evropianë dhe britanikë.
Presidenti ukrainas denoncoi ashpër veprimet e Rusisë, duke i përshkruar ato si një fushatë terrori kundër sistemit tonë energjetik. Sipas tij, Moska po synon të shndërrojë të ftohtin e dimrit në një mjet torture dhe presioni mbi Ukrainën.
Gjatë takimit të pasdites me koalicionin e vullnetarëve, Zelensky u bëri thirrje vendeve partnere të përqendrohen në atë që është më praktike dhe efektive. Për të ushtruar presion mbi Rusinë, ai ripërsëriti thirrjen për sanksione të forta dhe sekuestrimin e aseteve ruse të ngrira në Perëndim. Zelensky falënderoi Presidentin amerikan Donald Trump për sanksionet e vendosura ndaj kompanive ruse të naftës, duke i cilësuar ato si një hap të rëndësishëm për të dobësuar ekonominë e agresorit.
Ai përsëri bëri thirrje për pajisjen e Ukrainës me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi Tomahawk, ndërsa shprehu mirënjohje ndaj Kryeministrit britanik Sir Keir Starmer për furnizimin me raketa Storm Shadow, të cilat kanë ndihmuar në mbrojtjen e frontit lindor.
"Nuk duhet të ketë asnjë zgjidhje tjetër për Rusinë përveçse t'i japë fund luftës dhe të rikthejë paqen në vendin tonë", përfundoi Zelensky.
Lini një Përgjigje