
Bir i Ndrangheta-s, një vrasës i pamëshirshëm, i penduar që në fund vdes në rrethana në dyshimta. Tani, jeta e Antonio Zagarit është bërë film nga Daniele Vikari,“Vrasja është e lodhshme”.
Në zhargonin e mafias kalabreze, të vrasësh do të thotë “astutare”, ose të të shuash.
Gjatë viteve të kaluara si një ushtar i Ndrangheta-s, Antonio Zagari “shoi” jetën e shumë njerëzve. Shumë, madje edhe për dikë si ai, i lidhur me familjen mafioze San Ferdinando që nga dita kur u pagëzua, kur babai i tij Xhakomo e pështyu në të pasmet dhe i vendosi pranë një thikë dhe një libër.
Nëse Antonio do t’i kishte shtrirë gishtat drejt tehut të thikës, ai do të ishte bërë mafioz; përndryshe, do të ishte i destinuar për t’u bërë “polic”.
I porsalinduri nuk zhgënjeu askënd: ai gati e preku thikën. Kjo tregonte se kur të rritej, do të ishte një vrasës që i shërbente familjes së tij.
Të gjithë ngritën dolli: një djalë tjetër që ndiqte gjurmët e të atit; një ditë Ndrangheta mund të mbështetej edhe tek ai. Në fund të fundit, çfarë thonë në këto anë? “Bota është e ndarë në Kalabri dhe atë që do të bëhet Kalabri”.
Dhe falë Xhakomo Zagarit, djalit të tij Antonios, vëllait të tij më të vogël Encos dhe shumë të tjerëve që emigruan në veri të Italisë në vitet 1970, një copë kalabrie pushtoi një zonë të pasur të zonës së Varezes, midis Buguxhiates dhe Moracones, një tokë “fabrikash të vogla” dhe “restorantesh” që frekuentoheshin nga njerëz të pasur, nga djem që qarkullonin me makina “Porsche”, të cilët mund të rrëmbeheshin dhe liroheshin në këmbim të shumave të mëdha, që do të ishin shumë të dobishme për organizatën.
Antonio punonte 12 orë në ditë, kishte një makinë “Fiat 124” dhe hante bukë me qepë. Pastaj mbrëmjeve vidhte dyqanet e bizhuterive, mblidhte paratë e gjobave ndaj klubeve
të natës bizneseve në këmbim të mbrojtjes dhe vret kur e urdhëron i ati, Xhakomo.
Asnjëherë ndonjë shpërthim i papritur nervash para tij apo refuzim. Dhe mbi të gjitha,
asnjë shfaqje e pasurisë që ka grumbulluar përmes dhunës. “Të mos tërheqim asnjëherë vëmendjen tek vetja jonë. Ne jemi njerëz të varfër. Kështu duhet të mendojnë fqinjët dhe policia”- e udhëzonte babai-padron.
Rrëmbimi i fundit
Por më pas ndodh diçka që ndryshon përgjithmonë gjërat. Familja vendos të rrëmbejë djalin e një biznesmeni, mikut më të mirë të vëllait të Antonios. Gjithçka shkon keq. Djali vritet, trupi i tij nuk gjendet kurrë, ndoshta trupi iu dha derrave për ta ngrënë.
Enco, vëllai më i vogël, përfshihet në një rrjet brutal të trafikut të drogës. Antonio rebelohet kundër të atit dhe fillon të bashkëpunojë me një kolonel të ri të karabinierëve. Pasi përfundoi në burg pas një grabitjeje, ai reflekton mbi jetën e tij si një burrë i ndjekur vazhdimisht nga policia, që jeton në arrati nëpër pyll, me një grua të re dhe një djalë të porsalindur që nuk do ta shohë më për kushedi sa kohë.
Ai kërkon një fletore, një stilolaps dhe fillon të shkruajë. Është si një çlirim. Rrëfen vrasje dhe rrëmbime, hakmarrje dhe ndëshkime. Është një listë e gjatë vrasjesh që e neverit. Ai zbulon gjithashtu hemofobinë, frikën që kishte nga gjaku. Një vrasës që ndihej shumë keq kur një curril gjaku njolloste i rrobat.
Antonio shkruan pa pushim. “Kishte një shkrim dore të përsosur, pothuajse si një shkrues i vjetër”- thotë Xhani Sparta, gazetari të cilit Zagari ia dorëzoi dorëshkrimin. Këto rrëfime nxisin një nga gjyqet më të rëndësishme kundër Ndrangheta-s, që përfshin rreth 100 të pandehur, me 520 vjet burg në total dhe 7 dënime me burgim të përjetshëm, përfshirë atë të babait të tij, Xhakomo.
Antonio u bë një ‘pentito’, i penduar, një nga të paktët në historinë e krimit të organizuar kalabrez. “Në realitet, ai është thjesht një bashkëpunëtor i drejtësisë, sepse nuk është penduar kurrë për asgjë. I tiji ishte një rebelim familjar. Pastaj, në vitin 2004 vdiq në një aksident të çuditshëm me makinë.
Jetonte në një vend sekret, i kishin dhënë një identitet të ri, dhe madje i kishin ndryshuar tiparet me disa operacione plastike. Kush e di, ndoshta dikush e njohu dhe e bëri të paguante për tradhtinë. Por këto janë spekulime. Zyrtarisht, Antonio Zagari vdiq nga shkaqe aksidentale”- shpjegon Sparta.
Një rrëfim i gjatë
Në vitin 1992, dorëshkrimi u bë një libër me titull “Ammazzare stanca” (Vrasja të lodh), i ribotuar së fundmi nga Aliberti Editore. Dhe nga 4 dhjetori ka dalë në kinema filmi i Daniele Vikarit, i prodhuar nga “Mompracem” në bashkëpunim “Rai Cinema”.
Në këtë film luajnë aktorët Gabriel Montezi, Vinisio Markioni, Selen Karamaca, Pierxhorxho Belokio dhe Roko Papaleo. “Unë nuk jam ndonjë tifoz i madh i historive të mafies, por kjo më bëri menjëherë përshtypje . Libri nuk është thjesht një roman, por një rrëfim. Antonio rebelohet kur kupton se nuk është një njeri i lirë, por dikush që vret veten sa herë që qëllon mbi të tjerët.
Sa herë që kjo ndodh dhe i ka ndodhur shumë herë ai heq dorë nga një copëz e jetës së tij. Derisa një ditë, ulur para një fletoreje, gjen guximin të shikojë brenda vetes dhe të dalë nga kriza në të cilën ishte zhytur. Pra, historia e Antonios është ajo e një njeriu, që me krizën e tij, arrin të mposhtë një organizatë të tërë ushtarake”- thotë Vikari.
Një mafioz që e tradhton të atin, është diçka e paimagjinueshme në disa qarqe kriminale. ”Ai e bën këtë, kur e kupton se Xhakomo nuk e kishte konsideruar asnjëherë si djalin e tij, por më shumë si një bashkëpunëtor. Si një vartës që thjesht duhej të ndiqte urdhrat. Në atë pikë, forma e tij e vetme e rebelimit bëhet shkrimi. Dhe për herë të parë, ai ndihet i lirë”- vazhdon regjisori i filmit.
Gabriel Montezi, një nga yjet e filmit, i njohur nga filma “Io Sono L’abisso” dhe “Esterno Notte”, dhe tashmë i vlerësuar për rolin e tij si Kasano në serialin televiziv “Speravo de morì prima”, luan rolin e Antonio Zagarit në filmin e Vikarit.
Interpretimi i tij është intensiv dhe bindës. “E kuptova menjëherë se duhej ta zhvilloja këtë personazh nga brenda, dhe leximi i kujtimeve të tij më frymëzoi të krijoja një rrugëtim të vërtetë psikologjik” - shpjegon ai.
“Gjatë përgatitjes për rolin, i shkrova dhe rishkrova disa herë në letër fjalët e tij, duke u përpjekur ta rijetoj përvojën e tij, të gjej në to zërin e duhur për të përshkruar një personazh i cili, nëpërmjet stilolapsit të tij, gjen veten dhe zbulon të vërteta të reja” - nënvizon aktori.
Në film, ashtu si në dorëshkrim, Antonio e kupton se nuk është në të vërtetë një vrasës, por një i ri i lindur në vendin e gabuar. “Sigurisht që kjo nuk është një justifikim. Tek e fundit, Zagari nuk u përpoq kurrë të shfajësonte veten, dhe i pranoi të gjitha gabimet e tij. Megjithatë, ndonjëherë mund të ndodhë që të detyrohemi të bëjmë diçka që na vret nga brenda, diçka për të cilën jemi absolutisht të papërshtatshëm. Në atë pikë, duhet të rebelohemi. Dhe Antonio e bëri këyë” - thotë Montezi./ Përshtati "Pamfleti", marrë nga “La Repubblica”
E kujt i vlejne keto historira o mjerane të medias. Sa qejf keni të shkruani histori të pa vlera. Pse hyni ne hallet e të tjereve, qofshin të mira ose të liga. Keshtu ndodh kur nuk ke me se te merresh.