Bota26 Maj 2023, 21:06

Vuçiç nxjerr në shesh militantët dhe jep dorëheqjen si kryetar partie, nis kërcënimet për tensionet në veri të Kosovës

Shkruar nga Pamfleti

Vuçiç nxjerr në shesh militantët dhe jep dorëheqjen

Vuçiç ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Progresive Serbe, teksa ka parlajmëruar lëvizje të re...

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mbledhur sot në një tubim mbështetësit e tij, në atë që mediat pranë e tij e quajnë tubimi më i madh në histori. Duke qenë se në dy protesta ka pasur qindra mijëra persona në shesh, Vuçiç tentoi të tregojë forcën. Por duket se në krahun e tij nuk ishte as natyra, kjo sepse para se të fliste presidenti, nisi një shi i rrëmbyeshëm dhe bëri që shumë njerëz të ikin.

Ndonëse kishte paralajmëruar se do e dërgojë vendin në zgjedhje, Vuçiç jo vetëm që nuk e artikuloi një gjë të tillë, por i shtriu opozitës dorën e dialogut.

I ftoj në bisedë dhe dialog edhe ata politikanë, për të cilët mendoj më të keqen. Nga nesër dera ime është e hapur për secilin prej tyre, për të zgjidhur problemet në institucionet e sistemit”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se problemet nuk zgjidhen në autostradë, duke aluduar në dy protestat e mëparshme qytetare, ku dhjetëra mijëra demonstrues bllokuan autostradën në urën Gazela në Beograd. Sipas tij, atyre politikanëve nuk u interesonin fëmijët, por si ta largojnë atë nga pushteti.

Megjithatë pati një zhvillim surprizë. Vuçiç tha se po fliste për herë të fundit si kryetar i SNS-së, duke paralajmëruar se do të japë dorëheqjen si kryetar partie.

Për njëmbëdhjetë vjet, i shërbeva me besim dhe besnikëri shtetit dhe popullit tim. Unë kam qenë kryetar i Partisë Përparimtare Serbe për njëmbëdhjetë vjet. Nesër, dikush tjetër do të marrë në dorë Partinë Progresive Serbe time, tuajën, tonën”, tha Vuçiç.

Ai tha se nga e shtuna partinë e marrin “disa njerëz të mrekullueshëm” dhe se nga 28 qershori nisin formimin e Lëvizjes për popullin dhe shtetin. Pra duket se do krijojë parti ose lëvizje të re. 

Ai u ndal dhe te tensionet sot në Kosovë. Gjatë fjalës së tij para militantëve, Vuçiç tha se aksioni i ditës së sotme nga Forcat Speciale të Kosovës ishte i planifikuar.

Presidenti serb ka deklaruar se pas tubimit, do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar atë që ka ndodhur sot në veri të Kosovës. Më tej, ai ka kritikuar edhe shtetet e QUINT-it duke thënë se nëse do të kishin ndërhyrë situata nuk do të kishte shkuar deri në këtë gjendje që është tani.

Sikur me dashje prisnin që njerëzit nga veriu i Kosovës të vinin në Beograd. U sulmuan ndërtesat komunale, dhe përfaqësuesit e QUINT-it heshtën për të gjitha këto, dhe tani po e dënojnë, kur shqiptarët kanë mbaruar punë. Nuk kemi pasur krizë më të madhe dhe më të rëndë. Sapo të përfundojë ky tubim do të kemi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të biseduar për atë që do të ndodhë në Kosovë dhe kam frikë që do të ndodhin shumë gjëra të këqija sepse e dimë me kë kemi të bëjmë”, tha Vuçiç. Ai madje, deklaroi se “nuk do të dorëzohen për Kosovën”.

vucic