TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Korrik 2026, 15:56

Zbulimi që trondit Teheranin: Si tentoi Mossadi të rrëzonte mullahët duke rekrutuar Ahmadinejadin

Shkruar nga Pamfleti
Zbulimi që trondit Teheranin: Si tentoi Mossadi të rrëzonte
Mahmoud Ahmadinejad

Ish-presidenti iranian zhvilloi takime sekrete me shërbimet izraelite në Budapest, ndërsa plani parashikonte rrëzimin e regjimit në Teheran dhe rikthimin e tij në pushtet.

Një investigim i publikuar nga The New York Times zbulon një nga operacionet më të pazakonta të inteligjencës izraelite, ku në qendër ndodhet ish-presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad.

Gazeta amerikane, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe iranianë, shkruan se Mossad zhvilloi për vite me radhë një operacion sekret për ta rekrutuar Ahmadinejadin dhe për ta përgatitur si figurën që do të merrte drejtimin e Iranit në rast të rrëzimit të Republikës Islamike.

Sipas raportimit, gjithçka nisi në fillim të vitit 2024, kur rektori i Universitetit Ludovika në Budapest, profesori Gergely Deli, mori një kërkesë tepër konfidenciale nga një zyrtar i lartë i qeverisë hungareze për të organizuar një konferencë mbi ndryshimet klimatike me pjesëmarrjen e Ahmadinejadit.

Konferenca, megjithatë, shërbeu vetëm si mbulesë. Qëllimi i vërtetë ishte zhvillimi i takimeve sekrete mes ish-presidentit iranian dhe agjentëve të Mossadit në kryeqytetin hungarez.

Rëndësia e operacionit ishte aq e madhe, sa drejtori i atëhershëm i Mossadit, David Barnea, udhëtoi personalisht në Budapest për t'u takuar me Ahmadinejadin. Më pas, shërbimet izraelite informuan edhe CIA-n për kontaktet me ish-udhëheqësin iranian.

Sipas The New York Times, Izraeli financoi fshehurazi për disa vite shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të Ahmadinejadit, ndërsa agjentët e Mossadit e takonin rregullisht gjatë udhëtimeve të tij jashtë Iranit.

Operacioni arriti kulmin në fund të shkurtit të këtij viti, gjatë ditëve të para të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Plani parashikonte nxjerrjen e Ahmadinejadit nga Teherani, nisjen e një kryengritjeje kundër regjimit dhe vendosjen e tij në krye të vendit.

Plani dështoi.

Më 28 shkurt, një sulm ajror izraelit goditi kompleksin ku banonte Ahmadinejadi, duke shkatërruar godinën e truprojave dhe automjetin e tij të blinduar. Menjëherë pas sulmit, një automjet Peugeot me ngjyrë të zezë mbërriti në vendngjarje, mori ish-presidentin iranian dhe u largua me shpejtësi. Sipas burimeve të gazetës, automjeti drejtohej nga agjentë të Mossadit, të cilët e transportuan në një strehë të sigurt brenda Iranit.

Megjithatë, Ahmadinejadi u zhgënjye nga zhvillimi i operacionit dhe u largua nga vendstrehimi në rrethana të paqarta. Gjurmët e tij humbën deri javën e kaluar, kur u shfaq për pak çaste në ceremoninë mortore të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei.

Sipas raportimit, ai ndodhet tashmë në arrest shtëpiak nën mbikëqyrjen e Gardës Revolucionare iraniane, pasi autoritetet iraniane kanë zbuluar rrjetin e kontakteve të tij me Izraelin.

Investigimi zbulon se plani për ndryshim regjimi nuk kufizohej vetëm te Ahmadinejadi. Ai përfshinte edhe armatosjen dhe stërvitjen e grupeve kurde opozitare në veri të Irakut, të cilat do të hynin në territorin iranian drejt Teheranit, një operacion që nuk u realizua.

Ish-kreu i inteligjencës ushtarake izraelite, Tamir Hayman, e konfirmoi në maj ekzistencën e një serie operacionesh speciale, duke deklaruar se Ahmadinejadi ishte pjesë e këtij planifikimi.

Artikulli përshkruan edhe transformimin e ish-presidentit iranian pas largimit nga pushteti në vitin 2013. Nga një prej figurave më radikale të Republikës Islamike, ai ndryshoi profil publik, zbuti retorikën, filloi të shfaqej me kostume elegante, mësoi anglisht dhe nisi të promovonte reforma politike.

Sipas njerëzve të afërt me të, Ahmadinejadi besonte se vetëm ai mund ta drejtonte Iranin në një periudhë tranzicioni dhe u kishte premtuar aleatëve se, nëse rikthehej në pushtet, do ta njihte Izraelin dhe do të normalizonte marrëdhëniet mes dy vendeve përmes Marrëveshjeve të Abrahamit.

The New York Times shkruan gjithashtu se kundërzbulimi iranian kishte nisur ta monitoronte Ahmadinejadin që nga viti 2017, ndërsa kontaktet e para me agjentët izraelitë u zhvilluan gjatë një udhëtimi në Guatemalë në vitin 2023. Dy vizitat e tij në Universitetin Ludovika në Budapest, në vitet 2024 dhe 2025, shërbyen, sipas investigimit, për zhvillimin e takimeve sekrete me përfaqësuesit e Mossadit. /Pamfleti

ahmadinejadin

2 Komente

  1. a
    astrit

    Histori spijunësh! Të këndëshme por ta pa besueshme!

    1. V
      V K

      Mos. Na dhjene. Ky qenka aleat, ne shkuam shpallem non grata ate gruan e mbuluar nga Kosova qe kishte dale foto me kete. VK

      Lini një Përgjigje