Zelensky nis ristrukturimin e qeverisë ukrainase, propozon largimin e kryeministres Svyrydenko dhe ndryshime të gjera në kabinet
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë ndryshime të qeverisë në Kiev, në postet më të larta drejtuese, përfshirë edhe zëvendësimin e kryeministres aktuale Yulia Svyrydenko.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social “X”, Zelensky bëri të ditur se i ka propozuar Svyrydenkos largimin nga posti i kryeministres, duke i ofruar një tjetër rol të rëndësishëm në administratën shtetërore dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Ukrainës.
“Jam mirënjohës ndaj Yulias për punën e saj të qartë, të qëndrueshme dhe efektive si kryeministre, për vitet e saj të shërbimit produktiv në ekipin e Ukrainës dhe i kam ofruar asaj mundësinë për të udhëhequr një fushë të re dhe të rëndësishme marrëdhëniesh me një partner kyç”, deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas nuk bëri të ditur se kush do të jetë pasardhësi i Svyrydenkos në krye të qeverisë dhe as nuk dha hollësi të mëtejshme mbi arsyet konkrete që çuan në këtë vendim. Megjithatë, ai theksoi se ndryshimet janë të nevojshme për të zbatuar një strategji të re politike për vendin.
“Pres që, së bashku me deputetët, të bëjmë ndryshimet përkatëse në qeverinë e Ukrainës”, u shpreh kreu i shtetit ukrainas.
Sipas raportimeve në Kiev, Svyrydenko mund të emërohet ambasadore e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, një post me rëndësi të veçantë duke marrë parasysh marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve, veçanërisht në kushtet e luftës me Rusinë.
Deputeti i opozitës ukrainase, Yaroslav Zhelezniak, deklaroi se largimi i Svyrydenkos nga posti i kryeministres do të nënkuptojë një riformatim të plotë të kabinetit qeveritar.
“Kjo do të thotë se ajo do të largohet nga posti i kryeministres dhe e gjithë qeveria do të riorganizohet”, tha Zhelezniak në një reagim të publikuar në Telegram.
Sipas legjislacionit ukrainas, dorëheqja e kryeministrit duhet të miratohet nga parlamenti dhe sjell automatikisht dorëheqjen e të gjithë qeverisë. Pas këtij procesi, presidenti dhe parlamenti duhet të bien dakord për kabinetin e ri qeveritar.
Mes emrave që përfliten si kandidatë të mundshëm për të marrë drejtimin e qeverisë janë ish-kryeministri Denys Shmyhal, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Energjisë, ministri i Mbrojtjes Mykhailo Fedorov, si dhe Serhiy Koretskyi, drejtuesi i kompanisë shtetërore të energjisë “Naftogaz”.
Përveç ndryshimit të kryeministrit, Zelensky njoftoi se do të ketë lëvizje edhe në drejtimin e disa agjencive të zbatimit të ligjit, pa specifikuar ende se cilat institucione do të preken.
Ai bëri të ditur se ndër prioritetet e qeverisë së re do të jenë përparimi i Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, forcimi i zonave kufitare dhe një menaxhim më efikas i politikës së jashtme.
“Ne përcaktuam se këto ndryshime kërkojnë një rinovim të Kabinetit të Ministrave”, deklaroi Zelensky.
Riorganizimi vjen në një periudhë kritike për Ukrainën, e cila vijon luftën kundër Rusisë dhe përballet me sfida të mëdha ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Qeveria e re pritet të ketë për detyrë menaxhimin e fazës së ardhshme të luftës, përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe forcimin e aleancave ndërkombëtare të Kievit.
Yulia Svyrydenko mori detyrën e kryeministres në korrik të vitit 2025 dhe gjatë mandatit të saj ka qenë një nga figurat kryesore të administratës së Zelenskyt, veçanërisht në çështjet ekonomike dhe bashkëpunimin me partnerët perëndimorë.
Lini një Përgjigje