TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Prill 2026, 16:10

Zgjedhjet në Bullgari, mes skandaleve, manipulimeve dhe arrestimeve

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet në Bullgari, mes skandaleve, manipulimeve dhe arrestimeve
Lideri i partisë GERB, Boyko Borisov

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Bullgari ka shënuar rritje, sipas të dhënave paraprake nga exit poll-et për mediat vendase. Deri në orën 15:00, rreth 31.8% e qytetarëve kishin votuar, një rritje me mbi 8 pikë përqindje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Analistët vendas e konsiderojnë këtë rritje të pjesëmarrjes si një faktor kyç që mund të ndikojë në drejtimin politik të vendit. Procesi zgjedhor po zhvillohet në një klimë të tensionuar, mes akuzave për manipulim, problemeve teknike dhe përplasjeve të forta politike.

Deri në mesditë janë raportuar 181 raste të dyshuara për manipulim votash, ndërsa tre persona janë arrestuar. Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu rreth 40 mijë euro, të dyshuara si para për blerje vote. Sipas institucioneve, raste të tilla priren të shtohen me afrimin e mbylljes së votimit.

Ish-presidenti Rumen Radev, një nga kandidatët kryesorë, e cilësoi këtë proces si një moment vendimtar për vendin. “Sot është dita për të rikthyer shtetin”, deklaroi ai pas votimit në Sofje.

Nga ana tjetër, lideri i GERB, Boyko Borisov, u shpreh skeptik për rezultatin politik, duke paralajmëruar vështirësi në formimin e një qeverie të re.

“Nuk shoh asnjë mundësi për koalicion”, tha ai, ndërsa ngriti edhe shqetësime për ndërhyrje në procesin e votimit.

Gjithashtu, lideri socialist Krum Zarkov theksoi nevojën për një qeveri të qëndrueshme dhe të besueshme, duke e konsideruar këtë moment si vendimtar për të ardhmen e vendit.

Procesi zgjedhor ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Bullgarisë. Në Londër, emigrantët bullgarë janë paraqitur në numër të lartë për të votuar, duke krijuar radhë të gjata që në orët e para të mëngjesit.

Zgjedhjet zhvillohen në një kohë kur Bullgaria po përpiqet të dalë nga një krizë e zgjatur politike dhe një nivel i ulët besimi ndaj institucioneve, që ka çuar në protesta dhe procese të shpeshta zgjedhore në vitet e fundit.

Kush kandidon?

Në garë është edhe aleanca opozitare “Ne Vazhdojmë Ndryshimin-Bullgaria Demokratike”, e cila synon të kapitalizojë mbështetjen nga protestat e fundit.

Në krye të sondazheve renditet koalicioni “Bullgaria Progresive”, i udhëhequr nga ish-presidenti Rumen Radev, i cili iu bashkua garës pas dorëheqjes nga posti në mars.

Radev, ish-komandant i forcave ajrore dhe figurë e njohur publike, ka arritur të mobilizojë mbështetje të gjerë. Sondazhet e pavarura e vendosin atë me mbi 30% të votave, ndonëse kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të siguruar shumicën parlamentare.

Ai ka premtuar luftë kundër korrupsionit dhe reformim të sistemit politik, duke synuar të shmangë koalicionet tradicionale. “Nuk premtojmë mrekulli, por premtojmë rregulla", deklaroi ai në një tubim të madh në Sofje.

Mbështetja për Radev reflekton zhgënjimin e një pjese të madhe të qytetarëve ndaj elitës politike ekzistuese, ndërsa platforma e tij synon të bashkojë grupe të ndryshme shoqërore, nga votues konservatorë deri te të rinjtë pro-evropianë.

zgjedhje bullgari pjesemarrje

Lini një Përgjigje