
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha sot se e diela, kur do të zhvillohen zgjedhjet në veri të Kosovës në të cilat serbët nuk do të marrin pjesë, do të jetë një ditë e tmerrshme për demokracinë dhe për popullin serb.
Sipas tij kjo ditë do të shënohet si turpi i botës, Evropës dhe turpi i Kuintit, ndërsa listoi edhe arsyet se përse serbët janë larguar nga institucionet në veri.
“Ata do të mbajnë zgjedhje të dielën, do t’i mbështesin dhe pastaj do të thonë se fajin e ka Beogradi. Jo për një trill, por për shkak se drejtori i Drejtorisë së Policisë së Kosovës për Veri, komandanti Nenad Gjuriç, është shkarkuar në mënyrë të kundërligjshme, sepse Todosijeviç është dënuar, sepse kanë qëlluar mbi serbët, kanë grabitur tokën, kanë provokuar dhe ngacmuar Serbët në baza ditore dhe se serbët marrin pjesë në institucione, pa u formuar asociacioni i komunave serbe për dhjetë vjet”, tha Vuçiç në një intervistë në "TV Prva".
Ky sulm i Vuçiç vjen menjëherë pas deklaratës së të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se SHBA-të do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve në katër komuna në veri të Kosovës, pavarësisht nëse serbët do t’i bojkotojnë ato.
“I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar për "Tanjug".
Ai u shpreh se SHBA i ka kërkuar prej kohësh serbëve që të kthehen në institucione dhe të marrin pjesë në zgjedhje por ata kanë refuzuar. Escobar tha gjithashtu se çdo palë ka të drejtën të zgjedhë në do të marrë pjesë ose jo në zgjedhje, por shtoi se bojkotimi i njërës palë nuk do të thotë se nuk do të ketë zgjedhje dhe se ato nuk do të njihen.
Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’iu drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.
Kjo pasi më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.
Lini një Përgjigje