
Pas disa orësh lëvizje në rrugët e Tiranës, qytetarët janë rikthyer në zonën e Kryeministrisë, duke marshur rreth godinës....
Pas marshimit nëpër disa zona të kryeqytetit, protestuesit janë rikthyer sërish në bulevard, duke e zhvendosur aksionin e tyre përreth godinës së Kryeministrisë.
Pasi dolën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pjesëmarrësit nuk u ndalën para hyrjes kryesore të institucionit, por kaluan krah hotel "Rogner", vijuan lëvizjen drejt pjesës së pasme të godinës, duke krijuar për herë të parë përshtypjen e një “rrethimi” simbolik të Kryeministrisë.

Lëvizja vjen në fund të një marshimi që përshkoi disa prej akseve kryesore të Tiranës. Protestuesit kaluan pranë Presidencës, vijuan drejt ish-Bllokut, u rikthyen në qendër dhe më pas marshuan në zonën e 9-katësheve, përpara se të ktheheshin sërish pranë selisë së qeverisë.
Teksa turma lëvizte rreth godinës, nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike. “Ju erdhi fundi, dorëhiquni”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria e shqiptarëve” ishin disa nga sloganet që u dëgjuan përgjatë marshimit.
Edhe dita e 16-të konfirmoi se protesta po ruan të njëjtin profil me të cilin nisi. Ndryshe nga lëvizjet tradicionale politike, protestuesit vijojnë të distancohen si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, duke refuzuar partitë politike dhe figurat kryesore të tranzicionit.

Kjo u reflektua edhe në marshimin e sotëm, ku krahas thirrjeve kundër kryeministrit Edi Rama, nuk munguan as sloganet kundër kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. "Rama në burg, Berisha në burg", "Ju erdhi fundi", "Dorëhiqu" dhe "Revolucion" ishin thirrjet që dominuan rrugët e Tiranës.
Për protestuesit, beteja nuk është më mes PS-së dhe PD-së, por kundër një klase politike që sipas tyre ka qeverisur vendin prej dekadash. Pikërisht për këtë arsye, edhe mbrëmjen e sotme, teksa marshuan rreth Kryeministrisë, zemërimi i tyre u drejtua njësoj ndaj qeverisë dhe opozitës, në një lëvizje që vazhdon të paraqitet si revoltë kundër gjithë establishmentit politik.
Shume mire qe e rrethuan. Duhet mbajtur 24 ore e rrethuar, qe te ndalesh zullumin.
Protestuesi jane ne te drejten e tyre te bejne cfare te duan. Kjo qeveri ky kryeminister eshte ilegjitim. Jane te kapur ne flagrancr ne vjedhje gjigande traffik nderkombetqr droge, pastrim parash. Nuk ka asnje tager te qeverise. Tashme fatin e vendit duhet ta marr ne dore populli.