Teksa në bulevardin përpara Kryeministrisë po zhvillohet dita e 42-të e protestës kundër qeverisë dhe klasës politike, një prani e shtuar e Policisë së Shtetit është vendosur edhe në zonën ku po mbahet koncerti i artistit amerikan Kanye West.
Qindra efektivë policie, forca speciale, autobote me ujë dhe mjete të tjera të rendit janë dislokuar në perimetrin e koncertit, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të shtuara sigurie për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për shmangien e çdo incidenti.
Masat vijnë në një moment kur nga podiumi i protestës janë bërë thirrje të përsëritura për bojkotimin e koncertit. Protestues dhe aktivistë kanë kritikuar organizimin e tij, duke pretenduar se qeveria ka akorduar rreth 4.2 milionë euro për zhvillimin e aktivitetit, në një kohë kur, sipas tyre, qytetarët prej 42 ditësh protestojnë kundër keqqeverisjes, korrupsionit dhe mënyrës së përdorimit të fondeve publike.
Pikërisht për shkak të klimës së krijuar dhe shqetësimeve për një zhvendosje të mundshme të protestuesve drejt zonës së koncertit, policia ka ngritur një plan të posaçëm sigurie, duke blinduar perimetrin me efektivë të shumtë dhe mjete të specializuara.
Ndërkohë, protesta para Kryeministrisë vijon me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimi i tyre do të mbetet paqësor dhe se kërkesat kryesore mbeten largimi i kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi i sistemit politik.
Lini një Përgjigje