Vrasja e Aleksandër Koçekut dyshohet të lidhet me hakmarrjen për ekzekutimin e Pavlin Prekës, një çështje për të cilën ai ishte nën hetim nga Prokuroria e Shkodrës.
Ngjarja e ndodhur në Shkodër pak më parë dyshohet të ketë si motiv hakmarrjen. Viktima Aleksandër Koçeku, është mes personave të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, një vit më parë në fshatin Guci e Re të Shkodrës.
Disa orë më parë, Prokuroria e Shkodrës vendosi të zgjasë me tre muaj afatin e hetimeve për krimin e rëndë. Për këtë ngjarje janë arrestuar Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, ndërsa dyshohet se i përfshirë është edhe Aleksandër Koçeku.
Pavlin Preka u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar në shkurt të vitit 2025, ku autorët dyshohet se përdorën një armë zjarri me silenciator për të shmangur zhurmën e të shtënave dhe për të mos ngritur dyshime te banorët e zonës. Sipas hetimeve, ai u qëllua me 6 plumba pranë banesës së tij dhe humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Sipas prokurorisë, dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë kundërshtimi i familjarëve për lidhjen sentimentale që Pavlin Preka kishte me vajzën e njërit prej të dyshuarve.
Historia, sipas hetimeve, nis rreth tre vite para krimit, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku duke i thënë se nuk kam vajzë për të dhënë sepse është shumë e vogël.
Megjithatë, sipas burimeve, gjatë viteve në vijim Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë.
Familja Koçeku nuk e ka pranuar kurrë këtë kërkesë, duke e konsideruar të papranueshme për shkak të moshës së mitur të vajzës ndërsa disa herë i kanë shkuar fjalë se çfarë thoshte viktima.
Sipas hetimeve dyshohet se mëngjesin e 20 shkurtit 2025, Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re. Më pas, sipas dyshimeve të prokurorisë, Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Aleksandër Koçeku, rezulton i vëllai i Vasel Koçekut, teksa prokuroria ka ngritur dyshime se dhe ai ka pasur rol në ngjarje, por u hetua në gjendje të lirë.
Lini një Përgjigje