Migen Qiraxhi, përfaqësues i organizatës Qëndresa Qytetare ka folur për qëllimin që ka protesta, e cila dje shënoi 20 ditë razadhi tubim kundër kastesë së vjetër politike.
Sipas tij, pyetja nëse kjo lëvizje do të shndërrohet në një parti politike nuk përfaqëson aspak nivelin më të lartë të arritjes që mund të prodhojë ky angazhim qytetar.
Qiraxhi argumentoi se potenciali i kësaj lëvizjeje është shumë më i madh sesa krijimi i një subjekti të ri politik, duke theksuar se Shqipëria ka tashmë një numër të madh partish dhe se shtimi i një tjetër nuk do të përbënte një zhvillim të rëndësishëm për demokracinë e vendit.
“Sepse kam përshtypjen që është e njëjta pyetje: do kenë një forcë politike? Po e bëj ndryshe nga ç’iu drejtova kolegëve të tjerë. Po çfarë do bisedosh? Nga cila derë do dalë, se ajo po kërkon dorëheqjen? Domethënë, ku është kuptimi? Vetëm të negociosh… Vetëm të negociosh, do dalësh nga dera e parë. Vetëm dua të sqaroj, vetëm dua të krijoj pak atmosferën e ftesës që për shoqërinë shqiptare bën kjo energji që po ndodh këtu, edhe në narrativë. Jo vetëm ju si kolegë, por edhe anëtarë të tjerë të shoqërisë i drejtohen energjisë së kësaj proteste sikur faza më e lartë e arritjes së saj është: a do bëjë një parti? Unë mendoj që, nëse kjo energji bën një parti, është domethënë: ‘mali ka pjellë një mi’. Duke menduar që potenciali aty është i jashtëzakonshëm dhe një parti është shumë e vogël nëse ajo energji krijon një parti. Domethënë, nga çka unë besoj se ajo ka potencialin të bëjë, të bëjë vetëm një parti, nuk mendoj që është ndonjë kontribut për shoqërinë të bëjë parti. Mbase ishte një gjë e jashtëzakonshme në ’90-ën. Por po të rendësh pas pyetjes ‘a do ketë një forcë politike kjo energji?’, unë mendoj që tashmë është e tejkaluar. Vendi ka 120 parti apo 128 parti, mund të bëhet 129, që do të thotë se, në momentin historik të zhvillimit të demokracisë së vendit, të bërit apo jo një parti nuk është më një ngjarje politike.”, tha ai në Euronews Albania.
Sipas tij, ajo që po ndodh aktualisht nuk mund të shihet si një përpjekje për të krijuar një alternativë brenda sistemit tradicional politik, por si lindja e një forme të re organizimi dhe ndërgjegjësimi qytetar.
“Kjo lëvizje shoqërore nuk ka prodhuar një aplikacion brenda sistemit. Pra, nëse ne kemi Android dhe Apple, që janë PD dhe PS, kjo nuk ka prodhuar diçka brenda këtyre, por ka prodhuar një sistem tjetër. Parti politike sot ka, dhe qytetarë gjithashtu, gjë të cilën ne nuk e gjenim përpara dhe thoshim: ‘Pse nuk reagon shoqëria?’ Tashmë shoqëria dhe politika kanë marrë një mësim shumë interesant. Ka bërë një kontribut të jashtëzakonshëm, sepse ka kthyer individin e painteresuar politikisht në një shoqëri të interesuar për politikën. Janë grupe të mëdha shoqërore që deri më sot nuk kanë qenë të interesuara për politikën, kryesisht të rinjtë dhe Gjenerata Z. Unë ftoj që ne ta shikojmë si një proces. Aq sa ka nevojë vendi të demokratizojë procese të tëra, që mund të jenë demokratizimi… Po fjala vjen, sot Edi Rama nuk ka më të njëjtin realitet politik që e kishte dy-tre javë përpara.”theksoi Qiraxhi.
Qiraxhi theksoi se vlera kryesore e kësaj lëvizjeje qëndron te aktivizimi i qytetarëve, veçanërisht i të rinjve, të cilët sipas tij kanë qenë tradicionalisht më pak të angazhuar në jetën politike. Ai e konsideroi këtë zhvillim si një proces me ndikim afatgjatë në demokratizimin e shoqërisë shqiptare.
Lini një Përgjigje