
Tashmë kthyer në rutinë të pas çdo proteste, qindra qytetarë që marshojnë nëpër Tiranë thërrasin për largimin e kastës së vjetër politike...
Rrugët e kryeqytetit vijojnë të gumëzhijnë nga thirrjet e protestuesve, të cilët prej gati dy orësh marshojnë nëpër Tiranë. Tashmë kthyer në rutinë të pas çdo proteste, qindra qytetarë që marshojnë nëpër Tiranë thërrasin për largimin e kastës së vjetër politike.
Thirrjet tashmë të kthyera në ‘himn’ të kësaj lëvizje; “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Vdekje tradhtarëve”, dhe ‘dorëheqje’, kanë shoqëruar gjithë marshimin. Madje në lagje të caktuara të Tiranës, qytetarë të moshuar në pamundësi për t’iu bashkuar në protestë kanë dalë në dritaret e banesave të tyre duke duartrokitur protestuesit.
Vlen të theksohet se edhe në protestën e 20-të, qytetarët duken të vendosur në synimin e tyre për largimin e qeverisë dhe gjithë establishmentit të vjetër politik. Ata kanë paralajmëruar se protesta e nesërme do të jetë më e madhe në numër, pasi pritet që qindra emigrantë t’i bashkohen tubimit të nesërm.
Përveç Tiranës, protestë ditën e sotme ka pasur edhe në qytetin e Vlorës ku qindra qytetarët kanë protestuar kundër keqqeverisjes.
Kujtojmë se edhe mbrëmjen e sotme marshimi ka dalë përtej orarit dhe itinerarit të përcaktuar, gjë që do të sjellë procedime të tjera nga ana e policisë, në radhët e protestueseve, veprim ky i bërë nga autoritetet në ditët e fundit.
Lini një Përgjigje