Protestuesit kërkojnë më shumë investime për arsimin dhe shëndetësinë, ndërsa shprehen se protestat kanë rritur shpresën për ndryshim.
Mijëra protestuesit janë mbledhur edhe sot përpara godinës së Kryeministrisë, në protestën e 45-të radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë, pjesëmarrësit deklarojnë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kauza e tyre dhe se protestat do të vijojnë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas protestuesve, vendi ka nevojë për më shumë investime në sektorët jetikë, si arsimi dhe shëndetësia, ndërsa kritikojnë organizimin e aktiviteteve festive dhe koncerteve, të cilat, sipas tyre, nuk zgjidhin problemet me të cilat përballen qytetarët.
"Ne duam shkolla dhe spitale, jo koncerte", ishte një nga mesazhet më të përsëritura gjatë tubimit, ku pjesëmarrësit kërkuan që fondet publike të orientohen drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
Gjatë protestës nuk munguan as akuzat politike ndaj qeverisë. Protestuesit u shprehën se, sipas tyre, drejtuesit e vendit kanë hyrë në politikë për përfitime personale dhe jo për t'u shërbyer qytetarëve. Ata thanë se korrupsioni, emigracioni dhe vështirësitë ekonomike janë arsyet që i kanë shtyrë të dalin në protestë javë pas jave.
Pavarësisht numrit të madh të protestave të zhvilluara deri më tani, pjesëmarrësit këmbëngulin se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Sipas tyre, vazhdimësia e tubimeve ka krijuar një frymë të re qytetare dhe ka shtuar besimin se ndryshimi është i mundur.
Protestuesit shprehen se çdo tubim ka sjellë më shumë ndërgjegjësim dhe pjesëmarrje, duke theksuar se kauza e tyre nuk lidhet vetëm me një kërkesë politike, por edhe me nevojën, sipas tyre, për një qeverisje më të përgjegjshme dhe më pranë qytetarëve.
Tubimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa deri në këto momente nuk janë raportuar incidente. Protesta pritet të vijojë me fjalime të organizatorëve dhe qytetarëve që marrin pjesë në të.
Lini një Përgjigje