TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Qershor 2026, 19:40

"Duam të rrethojmë Parlamentin", përplasje mes protestuesve në nisje të marshimit

Shkruar nga Pamfleti
"Duam të rrethojmë Parlamentin", përplasje mes
Zonja që u përfshi në debat

Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të 24-t, duke konfirmuar shndërrimin e saj nga një lëvizje kundër projektit në Zvërnec në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.

Por në nisje të marshimit nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë nuk munguan as tensionet mes vetë protestuesve.

Një debat i hapur u regjistrua mes njërit prej organizatorëve të protestës, Arben Kola, dhe një qytetareje pjesëmarrëse në tubim.

Teksa Kola po u drejtohej protestuesve me megafon, duke deklaruar se politikanët duhet të përballen me drejtësinë, qytetarja ndërhyri duke kundërshtuar mënyrën se si po organizohej protesta.

Nuk është revoltë kjo, jo me paqe. T’i dalim përballë atij, unë jam e para. Erdhën emigrantët dhe i përzutë, nuk i latë të flisnin. Bëtë rrëmujë aty, se isha aty”, dëgjohet të thotë ajo.

Më tej, protestuesja ngriti edhe kundërshtime për itinerarin e marshimit, duke kërkuar që protesta të mos drejtohej drejt Kryeministrisë, por drejt Parlamentit.

Ne duam të ikim te Parlamenti. Pse na drejtoni te Kryeministria? Ne duam të rrethojmë Parlamentin”, deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, organizatorët vijuan me planin e parashikuar, duke drejtuar protestuesit drejt godinës së Kryeministrisë, ku po zhvillohet tubimi i radhës.

Debati i regjistruar në nisje të marshimit duket se pasqyron edhe diskutimet që kanë shoqëruar protestën ditët e fundit, ku një pjesë e pjesëmarrësve kërkojnë forma më të forta presioni ndaj institucioneve, ndërsa organizatorët kanë këmbëngulur në ruajtjen e karakterit paqësor të lëvizjes.

Pavarësisht përplasjes verbale, marshimi vijoi normalisht drejt Kryeministrisë, ndërsa qindra qytetarë iu bashkuan protestës së 24-t kundër qeverisë.

protesta perplasje

Lini një Përgjigje