
Ajo që Vuçiç nuk mund ta injorojë është se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të arrihet anëtarësimi i ardhshëm në Bashkimin Evropian...
Nëse lëvizja e studentëve serbë do të shndërrohet në një parti, atëherë në zgjedhjet e ardhshme të vjeshtës ajo mund të udhëhiqet nga rektori i Universitetit të Beogradit, Vladan Gjokiç, i cili është rreshtuar në krah të të rinjve që dolën në rrugë dhe që, pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, janë bërë çdo ditë e më të shumtë.
Ajo që ndodhi më 1 nëntor 2024 në kryeqytetin e Vojvodinës, ku një strehë e ndërtuar nga një kompani kineze u shemb, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave, i dha nisje një vale protestash kundër korrupsionit, neglizhencës dhe mungesës së transparencës në punët publike.
“Që në fillim kam mbështetur studentët, mënyrën e tyre të menduarit vërtet demokratike dhe synimin e tyre për ta ndryshuar vendin në përputhje me vlerat evropiane”, tha arkitekti dhe urbanisti në një intervistë për El Mundo.
“Besoj se shumica e qytetarëve ecin në të njëjtin drejtim”, shton Gjokić, i cili rithekson frymën proevropiane të protestave studentore dhe denoncon sulmet ndaj lirisë dhe autonomisë së institucioneve akademike. Kundërshtari kryesor i lëvizjes kundër korrupsionit është presidenti Aleksandar Vuçiç admirues i Trumpit dhe dirigjenti kryesor i një vendi që ka kërkuar të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por që ruan lidhje të ngushta me Rusinë e Vladimir Putinit.
Pikërisht te lideri i Kremlinit është frymëzuar numri një i Serbisë, kreu i Partisë Progresiste (formacion politik nacional-konservator), kur la të kuptohej synimin për të dhënë dorëheqjen dhe për të kandiduar për postin e kryeministrit, të cilin e ka mbajtur tashmë nga viti 2014 deri në vitin 2017.
“Nëse partia e dëshiron do ta ndihmoj të fitojë besimin e popullit”, tha ai. Me pak fjalë, dyer rrotulluese në institucionet e Beogradit.
Ajo që Vuçiç nuk mund ta injorojë është se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të arrihet anëtarësimi i ardhshëm në Bashkimin Evropian me qëndrimin kundër sanksioneve ndaj Rusisë dhe me mosrespektimin e standardeve demokratike. Këtë e dëshmon kundërshtimi i një grupi vendesh të Bashkimit Evropian, mes tyre Holanda, Suedia, Finlanda dhe shtetet baltike, për hapjen e një kapitulli të ri të negociatave të anëtarësimit, që u ritheksua vetëm pak ditë më parë në Bruksel. Skenari serb është në lëvizje. Megjithatë, në çdo rast, shumë gjëra mund të ndryshojnë./Përshtati "Pamfleti" nga "Corriere della Sera"
Cfare do te ndodhe sllavet nomade serbe po serbe mbetet.