TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Korrik 2026, 19:51

"Edhe sa kohë duhet të presim?", protestuesi shfaqet me orë simbolike në shesh

Shkruar nga Pamfleti

"Edhe sa kohë duhet të presim?", protestuesi shfaqet me

Një moment simbolik tërhoqi vëmendjen gjatë protestës së 47-të kundër qeverisë, teksa një i ri u shfaq para Kryeministrisë me një orë në dorë, në të cilën ishte shkruar mesazhi: "Edhe sa kohë na duhet të presim?".

Sipas tij, ora simbolizon premtimet që nuk janë mbajtur ndër vite, duke përmendur furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë, shërbimin shëndetësor, infrastrukturën, energjinë elektrike dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

"Ky është një mesazh shumë i thjeshtë për të gjitha gjërat që ka premtuar Edi Rama. Dhe pyetja është shumë e qartë: edhe sa kohë duhet të presim për ujë 24 orë? Edhe sa kohë duhet të presim për një shëndetësi të denjë? Edhe sa kohë duhet të presim për drita 24 orë? Edhe sa kohë duhet të presim për një infrastrukturë bazike? Sa kohë duhet të presim që të anëtarësohemi në BE?", u shpreh ai.

I riu tha se këto kanë qenë premtime të përsëritura në fushata zgjedhore, por sipas tij nuk janë realizuar.

"Këto janë të gjitha premtime fushate dhe dua që qytetarët t'i mbajnë mend. Para se të votojnë, gjithmonë bëhen premtime: 'Do bëjmë ujin 24 orë, dritat 24 orë, do anëtarësohemi në BE, do bëjmë trenin, do bëjmë shumë gjëra', por asnjëra nga ato nuk është bërë", shtoi ai.

Gjithashtu, ai bëri edhe një pyetje tjetër që, sipas tij, përmbledh arsyen e protestës. Protestuesi theksoi se është pjesë e tubimeve që prej protestave në Zvërnec dhe tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

"Dhe pyetja ime është shumë e thjeshtë, edhe sa kohë duhet të presim që ne të kemi një jetë të denjë në Shqipëri?. Unë kam qenë që në protestat në Zvërnec, nuk jam i lodhur aspak. Lodhja është e panegociueshme në momentin që nevojat bazike janë në rrezik", përfundoi qytetari.

Lini një Përgjigje