
Edhe sot, në ditën e 47-të të protestës qytetare përpara Kryeministrisë, pankartat u shndërruan në një nga elementët më të spikatur të tubimit. Me humor, ironi, satirë dhe mesazhe të drejtpërdrejta, protestuesit shënjestruan qeverinë, opozitën dhe gjithë klasën politike, duke i kthyer pankartat në një nga "armët" më të forta të revoltës.
Në shesh ishin të pranishëm qytetarë të të gjitha grupmoshave, fëmijë, të rinj, studentë, prindër dhe të moshuar, të cilët mbanin në duar pankarta me mesazhe politike, sociale dhe patriotike, të shoqëruara shpesh me fotomontazhe dhe karikatura.
Një nga pankartat më të komentuara ironizonte kryeministrin Edi Rama me mbishkrimin "Krisma në Bruksel, dhitet nusja n'kal", ndërsa një tjetër e paraqiste atë si një "specie të re gjeli", me shkrimin në anglisht: "New Rooster Species Found in Albania".
Mesazhet nuk kursyen as figurat e tjera publike. Një pankartë ironizonte një deklaratë të gazetares Ilnisa Agolli me shkrimin "O belege Elbasëni im... n'a hape barkun, s'le gja pa lëpi!", ndërsa një tjetër shfaqte foton e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, me mbishkrimin "Non grata? F*ck you", duke iu referuar deklaratave të saj për Kosovën.
Në mesin e pankartave binin në sy edhe mesazhet e qëndresës qytetare.
"47 ditë. Ne nuk tërhiqemi. Nesër edhe më shumë", shkruhej në një prej tyre, ndërsa një tjetër theksonte: "46 ditë. Nuk është më një protestë. Është qëndresë".
Një tjetër pankartë përcillte mesazhin: "Ne nuk jemi numra. Jemi zëra! Qeveria duhet të dëgjojë, jo të heshtë!".
Ndërkohë nuk munguan as pankartat me thirrje për drejtësi dhe llogaridhënie.
"Kur padrejtësia bëhet ligj, qëndresa bëhet detyrë", shkruhej në një prej tyre, ndërsa një tjetër paraqiste tre zogj me pankartat "Dua drejtësi", "Dua zgjedhje", "Dua llogaridhënie", të shoqëruar me mesazhin: "Etiketat nuk ndryshojnë të vërtetën".
Në protestë u shfaqën edhe pankarta me motive patriotike, ku ishin vendosur figurat e Skënderbeut, Shotë Galicës, Dedë Gjo Lulit, Isa Boletinit, Bajram Currit dhe Ismail Qemalit, me mbishkrimin: "Patriotët – Gjaku i tyre, liria jonë!".
Një grup protestuesish zgjodhën të përcjellin mesazhin e tyre edhe përmes vargjeve të njohura kushtuar Shqipërisë, ndërsa të tjerë ekspozuan karikatura politike dhe fotomontazhe që ironizonin zhvillimet e fundit politike.
Pankartat, të shoqëruara me brohoritje dhe duartrokitje, u bënë edhe këtë herë një nga elementët më tërheqës të protestës, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve dhe të mediave, ndërsa organizatorët theksuan se revolta qytetare do të vijojë edhe në ditët në vijim.













Lini një Përgjigje