Me këtë vendim, mbetet në fuqi dënimi ndaj Memollës, i cili është shpallur fajtor për veprën penale të korrupsionit në zgjedhje.
Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e paraqitur nga ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, duke lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg të dhënë më herët nga Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga relatori Genti Shala dhe anëtarët Ilir Panda dhe Albana Boksi.
Me këtë vendim, mbetet në fuqi dënimi ndaj Memollës, i cili është shpallur fajtor për veprën penale të korrupsionit në zgjedhje. Ai aktualisht po vuan dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Rrogozhinë.
Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së, të dhënë më 9 shkurt 2026, Edison Memolla u vetëdorëzua pranë autoriteteve policore dhe më pas u transferua në burg për të nisur ekzekutimin e dënimit.
Vendimi i Gjykatës së Lartë i jep formë të prerë çështjes, duke mos pranuar rekursin e ish-kryebashkiakut dhe duke konfirmuar përfundimisht dënimin me një vit heqje lirie.
Hetimet ndaj tij nisën pas publikimit të një audio-përgjimi në të cilin Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie, dëgjohej duke ndërhyrë tek një punonjës i OSHEE-së, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Lini një Përgjigje