Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin në rrjetet sociale për gjendjen e Banjave Termale të Bënjës në Përmet, duke i cilësuar pamjet dhe pretendimet e shpërndara në rrjetet sociale si të pavërteta dhe pjesë e një fushate manipulimi.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë tha se zona turistike është transformuar përmes investimeve dhe kundërshtoi pretendimet se ajo është dëmtuar apo degraduar.
"Ky është realiteti i një destinacioni turistik, i cili dy ditët e fundit u bë shënjestër e histerisë digjitale të organizatorëve të vërtetë të protestës... Banjot Termale të Bënjës janë një shembëlltyrë e Rilindjes Urbane, që i përqesh me neveri pamjet e shpërndara anembanë kanaleve sociale, ku duke vënë kujën për betonizimin e për tharjen e ujrave nga kuçedra e korrupsionit, u synua ringritja e protestës së lodhur të bulevardit me të njëjtin inxhinjerim digjital si për Zvërnecin", shkruan Rama.
Në reagimin e tij, kryeministri ndalet edhe te mënyra se si, sipas tij, qarkullon informacioni në rrjetet sociale, duke argumentuar se shpesh përmbajtjet e paverifikuara marrin më shumë vëmendje sesa informacioni i konfirmuar.
"Kemi hyrë në një epokë ku ujrat e burimeve të komunikimit e të informimit, burimet shkencore, zyrtare apo gazetareske si ato të kohës kur çdo lajm verifikohej nga dy burime, rrjedhin në të njëjtat kanale me ujrat e zeza të burimeve biologjike të urrejtjes, zilisë, mllefit, gënjeshtrës e paditurisë, të cilat kanë avantazhin e shpejtësisë marramendëse që u jep algoritmi dhe të lehtësisë me të cilën gëlltiten nga njeriu i kthyer në skllav i algoritmit", shprehet ai.
Rama krahason situatën me debatet e mëparshme për Zvërnecin dhe thotë se pamjet nga Bënja tregojnë një realitet ndryshe nga ai që, sipas tij, paraqitet në rrjetet sociale.
"Por ja, dy pamjet e kundërta, nga njëra anë 'Bënja e shkretuar nga hajdutët e tradhëtarët', krijesë e djallëzisë së atyre që prej gati 1 muaji duan ta bëjnë çorap Shqipërinë... dhe nga ana tjetër, Bënja e Rilindur nga pikërisht vizioni, puna e pasioni ynë për Shqipërinë e pakrahasueshme me kur e nisëm këtë rrugë, flasin shumë qartë për këdo që do të shikojë, të dëgjojë, të kuptojë", vijon ai.
Katastrofa mjedisore që po bëhet në Përmet

Ndryshimet e konstatuara në Banjat e Bënjës në Përmet kanë hapur debat për ndikimin që punimet e fundit mund të kenë pasur mbi burimet termale të zonës, një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike në jug të vendit.
Sipas pamjeve të publikuara në ditët e fundit, në disa prej vaskave natyrore niveli i ujit është ulur ndjeshëm, ndërsa në disa pika burimet rezultojnë pothuajse të thata. Situata është lidhur me ndërhyrjet e kryera në terren dhe ndryshimet e rrjedhës së ujërave.
Për këtë çështje ka reaguar edhe gazetari Mentor Kikia, i cili shpreh shqetësim për mënyrën se si janë realizuar punimet në zonë. Sipas tij, ndërhyrje të tilla duhet të mbështeten në studime të detajuara dhe ekspertizë profesionale, për të shmangur dëmtimin e ekuilibrave natyrorë.
Kikia thekson se vendimmarrjet e marra pa konsultim të plotë me specialistët mund të sjellin pasoja për pasuritë natyrore dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të zonave me vlera të veçanta mjedisore.
Lini një Përgjigje