TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Qershor 2026, 16:34

I akuzoi se e kanë kërcënuar, Bajrat kallëzojnë në SPAK Marjana Koçekun

Shkruar nga Pamfleti
I akuzoi se e kanë kërcënuar, Bajrat kallëzojnë në
Safet Bajri dhe Marjan Koçeku

Në kallëzimin e bërë publik për mediat, Safet dhe Behar Bajri pretendojnë se akuzat e ngritura nga deputetja janë të pavërteta dhe të pambështetura në prova konkrete...

Safet dhe Behar Bajri kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme SPAK, kundër deputetes Marjana Koçeku, pas deklaratave të saj publike se ajo dhe familja e saj janë kërcënuar me jetë nga anëtarë të grupit Bajri në Shkodër.

Në kallëzimin e bërë publik për mediat, Safet dhe Behar Bajri pretendojnë se akuzat e ngritura nga deputetja janë të pavërteta dhe të pambështetura në prova konkrete. Sipas tyre, pretendimet e Koçekut nuk shoqërohen me asnjë provë të paraqitur pranë organeve ligjzbatuese.

Në dokumentin e depozituar në Prokurori, kallëzuesit theksojnë se disa anëtarë të familjes së tyre ndodhen aktualisht të privuar nga liria dhe, sipas tyre, nuk kanë pasur asnjë mundësi faktike për të kryer veprimet që u atribuohen nga deputetja.

Po ashtu, Bajrat pretendojnë se Marjana Koçeku nuk ka paraqitur pranë institucioneve kompetente asnjë nga provat që, sipas deklaratave të saj publike, do të mbështesnin akuzat për kërcënim. Për këtë arsye, ata kërkojnë nisjen e një procedimi penal dhe verifikimin e plotë të rrethanave të rastit.

Në kallëzim, Safet dhe Behar Bajri i kërkojnë Prokurorisë të regjistrojë kallëzimin dhe të fillojë procedimin penal, të hetojë vërtetësinë e deklaratave të deputetes Marjana Koçeku dhe përgjegjësinë e saj të mundshme penale, si dhe të verifikojë arsyet që kanë çuar në publikimin e këtyre pretendimeve dhe personat që mund ta kenë nxitur atë t’i bëjë ato.

Gjithashtu, ata kërkojnë që organi i akuzës të sigurojë dhe të ruajë menjëherë postimin origjinal të publikuar në rrjetet sociale, së bashku me të dhënat teknike përkatëse, përpara se ai të mund të fshihet. Në kallëzim kërkohet edhe administrimi i provave të përmendura dhe njoftimi i kallëzuesve për veprimet procedurale të ndërmarra.

“I kërkoj Prokurorisë: Të regjistrojë këtë kallëzim dhe të fillojë procedimin penal; Të hetojë vërtetësinë e deklaratave dhe përgjegjësinë penale të deputetes Marjana Koçeku si dhe arsyet se përse ajo e ka bërë një deklaratë të tillë dhe cilët persona e kanë shtyrë;

Të sigurojë dhe ruajë menjëherë postimin origjinal në rrjete sociale dhe të dhënat e tij teknike, përpara fshirjes; Të administrojë provat e sipërpërmendura dhe të më njoftojë për veprimet e kryera, sipas të drejtave të kallëzuesit”, thuhet ndër të tjera në kallëzim.

Çështja vjen vetëm pak ditë pasi Marjana Koçeku njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe vetëshpalljen si deputete e pavarur. Në një reagim publik në rrjetet sociale, ligjvënësja deklaroi se familja e saj ishte kërcënuar dhe se, sipas saj, kërcënimet vinin nga “Bajrat e Shkodrës”. Përmes një postimi në Facebook, Koçeku pretendoi se familja e saj ishte vënë nën presion pasi ajo kishte dalë kundër kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.

“Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkroi deputetja në reagimin e saj publik, e cila nxiti reagim të madh. 

Deri tani nuk ka një reagim të ri nga Marjana Koçeku lidhur me kallëzimin e depozituar nga Safet dhe Behar Bajri. Ndërkohë, mbetet në pritje që organet e drejtësisë të shqyrtojnë pretendimet e të dyja palëve dhe të verifikojnë faktet e paraqitura.

Kallëzimi i plotë: 

KALLËZIM PENAL DREJTUAR:  PROKURORISË SË POSAÇME KUNDËR KORRPUSIONIT DHE   KRIMIT TE ORGANIZUAR

KALLËZUES:  BEHAR BRAJOVIQ  SAFET RUSTEMI

KUNDËR:  Marjana Koçeku, deputete e Kuvendit të Shqipërisë (e zgjedhur në Qarkun Shkodër)

I/E nderuar Prokurore;

Në mbështetje të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale për kallëzimin e veprës penale, paraqes këtë kallëzim dhe parashtroj sa vijon.

FAKTET
Më datë 17.06.2026, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Marjana Koçeku, ka publikuar në rrjete sociale (Facebook/Instagram), deklaratë e cila është riprodhuar gjerësisht në media, sa vijon: “Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën.”
Me këtë deklaratë publike, deputetja: (a) i drejton familjes Bajri një kërcënim të hapur për ta “shkatërruar”; dhe (b) lë të kuptohet/pretendon publikisht se familja Bajri ka kërcënuar familjen e saj. Pretendimi se familja Bajri e ka kërcënuar është i pavërtetë dhe i pambështetur në asnjë provë të paraqitur. Anëtarë të familjes ndodhen aktualisht të privuar nga liria (në burg), dhe nuk kanë pasur asnjë mundësi faktike për të kryer veprimet që u atribuohen.

Deputetja nuk i ka paraqitur provat e pretenduara pranë organeve kompetente, por ka zhvilluar akuza publike në media e rrjete sociale, duke i atribuar rrejshëm familjes një vepër penale (kanosje) dhe duke cenuar rëndë nderin e dinjitetin e saj.
Deklarata nuk i drejtohet një individi të caktuar, por familjes/fisit Bajri në tërësi. Akuza dhe kërcënimi publik shtrihen kështu mbi çdo anëtar të familjes, përfshirë persona që nuk janë palë në asnjë procedim, të afërm dhe fëmijë të mitur, duke cenuar nderin, dinjitetin dhe sigurinë e tyre, dhe duke paragjykuar edhe ata që mbrohen nga prezumimi i pafajësisë. Shtrirja kolektive e deklaratës, zotimi publik për ta “shkatërruar” familjen “sa ta kem jetën” dhe konteksti i mundshëm i gjakmarrjes, së bashku me faktin që deklarata vjen nga një person me autoritet publik dhe është përhapur gjerësisht, përbëjnë rrethana rënduese që shumëfishojnë dëmin dhe rrezikun ndaj familjes.

Kallëzuesi ngre dyshimin se këto deklarata mund të jenë bërë edhe për përfitim politik e publik, në kontekstin e zhvillimeve të fundit politike të deputetes; megjithatë, vlerësimi i motivit i mbetet hetimit.
CILËSIMI I MUNDSHËM JURIDIK
Faktet e mësipërme mund të përbëjnë:

“Shpifja” (neni 120/2 i Kodit Penal) — atribuim i rremë publik i një vepre penale (kanosje) ndaj familjes Bajri.
Elementi objektiv:

Deputetja ka deklaruar publikisht:

“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue…”

Kjo deklaratë, sipas kallëzuesit, përçon te publiku mesazhin se familja Bajri ka ndërmarrë ose po ndërmerr veprime kërcënuese ndaj familjes së deputetes.

Edhe pse nuk thuhet shprehimisht “familja Bajri më ka kërcënuar”, lidhja logjike që krijohet është se ekziston një rrezik që vjen prej tyre, aq sa deputetja ndien nevojën të paralajmërojë publikisht se do të reagojë ndaj tyre.
Për pasojë, publikut i paraqitet si fakt se familja Bajri është e përfshirë në sjellje kriminale ose intimidimi.

Pavërtetësia e faktit

Sipas pretendimit të kallëzuesit:

nuk ekziston asnjë provë që familja Bajri ka kërcënuar deputeten ose familjen e saj;
nuk ekziston asnjë procedim penal, vendim gjykate apo akt zyrtar që mbështet një pretendim të tillë;
disa prej personave që identifikohen publikisht me familjen Bajri ndodhen të privuar nga liria dhe nuk kanë pasur mundësi faktike të kryejnë veprimet e nënkuptuara.
Në këto rrethana, deklarimi publik paraqitet si atribuim i një fakti të pavërtetë.

Cenimi i reputacionit:

Deklarata është bërë nga një deputete e Kuvendit dhe është shpërndarë gjerësisht në media kombëtare.

Për shkak të pozicionit publik të autores:

deklarata ka pasur ndikim të gjerë;
ka ekspozuar familjen Bajri para opinionit publik si burim kërcënimi dhe dhune;
ka cenuar nderin, dinjitetin dhe reputacionin e anëtarëve të familjes.
Elementi subjektiv:
Autorja ka vepruar me dashje, pasi:

ka identifikuar publikisht një familje të caktuar;
ka zgjedhur të bëjë deklaratën në rrjete sociale;
ka qenë e vetëdijshme për rezonancën publike që do të kishte deklarata e saj.
Prandaj mund të argumentohet se janë përmbushur elementet e veprës së shpifjes, paragrafi 2.

“Kanosja” (neni 84 i Kodit Penal) — vetë deklarata e deputetes përmban një kërcënim publik për ta “shkatërruar” familjen.
Elementi objektiv:

Në të njëjtën deklaratë deputetja shprehet:

“Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën.”

Ky nuk është thjesht një reagim emocional apo figurë retorike.

Deklarata:

i drejtohet një subjekti konkret dhe të identifikueshëm (“Bajrajve të Shkodrës”);
përmban premtimin e një veprimi të ardhshëm ndëshkues;
përdor termin “ju shkatërrue”, i cili në gjuhën e zakonshme nënkupton shkaktimin e dëmit shumë serioz ndaj personit, familjes ose interesave të tij.
Krijimi i gjendjes së frikësimit:

Një familje e identifikuar në një deklaratë të tillë:

është vendosur nën presion publik;
është ekspozuar ndaj reagimeve të tretëve;
është vënë përballë një paralajmërimi serioz për hakmarrje.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se deklarata nuk është bërë nga një person privat, por nga një figurë publike me autoritet institucional.

koçeku spak bajrat

2 Komente

  1. K
    Koha

    E dijne cernagoret e qelbur, keto vegla te Rames e Berishës, e dijne se SPAK eshte i tyre. Prandaj guxojnë e shkojnë ne SPAK. Se po te ishte SPAK i drejte dhe me popullin, bajrat do te dergjeshin burgjeve. Ja shteti i Ramutit dhe Salehut. Ky eshte prove e forte se Rama e Berisha ço përdorin çdo mjet per te terorizuar popullin.

    1. A
      A. Baçe

      Marjana, je vajzë trime. Ke ADN e Shote Galicës. Më kujton Kolombon e Prosper Merimesë që i doli zot familjes nga zabërhanët. Kur Kombi ka vajza si ti ai i mbijeton të keqes.

      Lini një Përgjigje