TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Korrik 2026, 19:19

“Jam Vangjel Tavo, numrin ma dha Muli”/ Kryebashkiaku i Himarës në dosjen “Aruba”, plani i trafikantëve për Gjirin e Gramës!

Shkruar nga Pamfleti
“Jam Vangjel Tavo, numrin ma dha Muli”/ Kryebashkiaku i Himarës
Vangjel Tavo

Në dosjen ‘Aruba’ evidentohet një telefonatë e kryebashkiakut të Himarës me një person nën hetim. Vangjel Tavo i thotë se numrin ia ka dhënë ‘Muli’.

Vijon të zgjerohet skandali, ku po dalin edhe koka zyrtarësh të përfshirë në ‘kasaphanën’ me pronat në jug. Në dosjen famëkeqe "Aruba", që lidhet me dyshimet për tjetërsim pronash në bregdet është pikasur një tjetër episod ‘pikant’ ku është i përfshirë një kryebashkiak i PS.

Bëhet fjalë për kreun e Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, të cilit i është zbuluar nga përgjimet një telefonatë me një person nën hetim.

Sipas dokumentit të SPAK, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar në vitin 2024, Tavo prezantohet me fjalët: "Unë jam Vangjel Tavo, numrin ma dha Muli."

Prokuroria e Posaçme thekson se nga kjo bisedë nuk janë konstatuar elementë të ndonjë vepre penale. Megjithatë, në dokumentin e publikuar nga Weblajm.com evidentohet si fakt me interes deklarimi i Tavos se numrin e telefonit ia kishte dhënë një person i identifikuar si "Muli".

“Jam Vangjel Tavo, numrin ma dha Muli”/ Kryebashkiaku i Himarës

Sipas dosjes hetimore, në përfundim të telefonatës, personi me inicialet L.B., i cili rezulton nën hetim në kuadër të çështjes "Aruba", i shpreh Tavos dëshirën për ta takuar.

Në të njëjtën dosje, SPAK ka dokumentuar edhe biseda të personave nën hetim lidhur me prona në zonën e Dukatit dhe Gjirin e Gramës, ku, sipas materialeve hetimore, ata diskutonin për mundësi përfitimi dhe tjetërsimi të sipërfaqeve të konsiderueshme tokash.

Hetimet për dosjen famoze vijojnë, ndërsa SPAK thekson se procedimi ndodhet ende në fazën e hetimit paraprak.

Dosja "Aruba" e SPAK lidhet me një hetim për një grup të dyshuar kriminal që, sipas autoriteteve, synonte të investonte para në prona dhe projekte ndërtimi në Shqipëri. Hetimet, të mbështetura në komunikime SkyECC, përgjime dhe informacione të ardhura nga autoritetet belge dhe spanjolle, përmendin takime të zhvilluara në Aruba dhe Spanjë, ku dyshohet se janë diskutuar leje ndërtimi, prona dhe investime, ndërsa në qendër të skemës rezulton Artur Shehu.

Historia e takimeve në Aruba u publikua fillimisht nga gazetari investigativ italian Nello Trocchia në librin Invincibili, ku, duke cituar dokumente të Antimafias italiane, përmendet pjesëmarrja e personave të lidhur me krimin e organizuar, biznesmenëve dhe përfaqësuesve të paidentifikuar të qeverisë shqiptare.

Ky është vetëm një ndër episodet e zbuluar. Takimi i Arubës, i cili për vite me radhë u trajtua si një histori e errët në kufijtë mes krimit, biznesit dhe politikës, tani po shfaqet si një prej pikave kyçe për të kuptuar mënyrën se si paratë e trafikut ndërkombëtar dyshohet se kanë kërkuar të hyjnë në ekonominë shqiptare.

 

vangjel tavo dosja aruba

Lini një Përgjigje