Marshimi i protestës qytetare po vijon në rrugët e Tiranës, ndërsa qindra pjesëmarrës kanë lënë pas tubimin para Kryeministrisë dhe po përshkojnë disa nga akset kryesore të kryeqytetit.
Pas nisjes nga Kryeministria, protesta u zhvendos në Unazën e Vogël, duke vijuar më pas drejt zonës së Vasil Shantos dhe Pallateve me Shigjeta. Aktualisht, turma ka mbërritur pranë pallateve “Delijorgji”, ku ka qëndruar për disa minuta, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në të dy krahët e rrugës.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa në disa momente kanë ftuar edhe qytetarët që ndodheshin në lokale dhe ambiente përreth t'i bashkohen marshimit.
Bllokimi i përkohshëm i qarkullimit ka krijuar radhë automjetesh në zonë, ndërsa forcat e policisë po monitorojnë situatën dhe po shoqërojnë lëvizjen e protestuesve përgjatë itinerarit të tyre.
Pas ndalesës te pallatet “Delijorgji”, turma ka rifilluar marshimin duke u ngjitur drejt zonës së 21 Dhjetorit, ku pritet të vijojë më tej në akse të tjera të kryeqytetit.
Pjesëmarrësit e konsiderojnë marshimin si vazhdim të lëvizjes qytetare që prej javësh po zhvillohet në Tiranë, ndërsa përgjatë itinerarit kanë vijuar të dëgjohen thirrje si “Rama ik”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi”, si dhe mesazhe kundër asaj që protestuesit e cilësojnë si kastë politike e konsumuar.
Ndërsa kolona e protestuesve lëviz në drejtim të 21 Dhjetorit, marshimi po tërheq vëmendjen e qytetarëve në zonat ku kalon, duke e kthyer mbrëmjen e sotme në një tjetër demonstrim të dukshëm të pakënaqësisë qytetare në rrugët e kryeqytetit.
Lini një Përgjigje