E Ngarkuara me Punë e SHBA-së kujtoi 250-vjetorin e Pavarësisë amerikane, sakrificat shqiptare për lirinë dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve
E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, mbajti një fjalim të fortë gjatë pritjes zyrtare për festimet e 4 Korrikut, ku këtë vit shënohet edhe 250-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së.
Në prani të përfaqësuesve të lartë të shtetit, ambasadorëve, figurave publike dhe të ftuarve të shumtë, VanHorn e cilësoi këtë përvjetor si një moment historik jo vetëm për amerikanët, por edhe për të gjithë popujt që besojnë te liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor.
“Më 4 Korrik 1776, një grup vizionarësh amerikanë i deklaruan botës se të gjithë janë krijuar të barabartë, me të drejtën për jetë, liri dhe ndjekjen e lumturisë. Siç ka thënë Presidenti Trump: ‘Edhe sot e kësaj dite, këto fjalë i japin jetë Republikës sonë, trazojnë zemrat e çdo qytetari dhe frymëzojnë mënyrën tonë të jetesës’”, u shpreh VanHorn.
Ajo theksoi se këto parime kanë shërbyer për afro dy shekuj e gjysmë si një pengesë ndaj tiranisë dhe shtypjes, duke e kthyer Amerikën në një simbol shprese për njerëzit në mbarë botën.
Duke u ndalur te Shqipëria, VanHorn vlerësoi rrugëtimin e vendit nga izolimi komunist drejt demokracisë dhe aleancës perëndimore, duke e cilësuar si një histori suksesi të ndërtuar mbi guxim dhe sakrificë.
“Shqiptarët e njohin mirë atë dëshirë. Udhëtimi i kombit tuaj nga shtypja dhe izolimi drejt demokracisë dhe aleancës Perëndimore është një nga historitë e mëdha të suksesit të kohës sonë. Ju po ndërtoni një shoqëri dhe institucione që nxisin parimet e lirisë dhe drejtësisë për të gjithë”, tha ajo.
Në fjalimin e saj, diplomatja amerikane kujtoi edhe Loni Adamin dhe Kol Kuqalin, dy shqiptarë që punuan në Ambasadën Amerikane dhe humbën jetën gjatë regjimit komunist, pasi refuzuan të dëshmonin rrejshëm kundër SHBA-së.
“Kohët e fundit, u takova me pasardhësit e këtyre burrave të guximshëm, të cilët humbën jetën nga duart e një regjimi brutal për shkak se refuzuan të dëshmonin rrejshëm kundër Shteteve të Bashkuara. Familjet e tyre u persekutuan për dhjetëvjeçarë, por besimi se Shqipëria një ditë do të përjetonte lirinë ishte i palëkundur”, u shpreh VanHorn.
Ajo theksoi se partneriteti mes Shqipërisë dhe SHBA-së është sot më i fortë se kurrë, falë bashkëpunimit në fushën ushtarake, ekonomike dhe në mbrojtje të vlerave demokratike.
“Lidhja jonë është sot më e fortë se kurrë më parë, falë të gjithëve juve. Faleminderit për partneritetin tuaj, mikpritjen tuaj legjendare shqiptare dhe angazhimin tuaj ndaj vlerave që ndajmë!”, tha VanHorn.
Në mbyllje, ajo theksoi se SHBA dhe Shqipëria do të vijojnë të punojnë së bashku për mbrojtjen e lirisë dhe forcimin e partneritetit strategjik.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ruajtur një botë ku mbretëron liria, të udhëhequr nga parimet e paqes nëpërmjet forcës dhe partneriteteve të ndërtuara mbi respektin e ndërsjellë dhe interesat e përbashkëta”, deklaroi ajo.
VanHorn e përmbylli fjalimin me një dolli simbolike për 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe për miqësinë shqiptaro-amerikane: “Gëzuar 250 vjet liri! Gëzuar ditëlindjen e 250-të, Amerikë! Gëzuar Katër Korrikun!”
Lini një Përgjigje