TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Qershor 2026, 21:12

Thirrje të forta nga protesta para Kryeministrisë: Do të rrimë ditë e natë deri në largimin e Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Thirrje të forta nga protesta para Kryeministrisë: Do të
Foto nga protesta

Një i sëmurë me kancer premtoi se nuk do të largohet nga sheshi, ndërsa qytetarët kërkuan dorëheqjen e qeverisë, mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe organizim qytetar kundër padrejtësive
Protesta e 18-të qytetare para Kryeministrisë është shoqëruar me thirrje të forta kundër qeverisë dhe me mesazhe që kërkojnë ndryshim politik, mbrojtjen e interesit publik dhe një model të ri për Shqipërinë.

Një nga momentet më emocionale të tubimit ishte fjalimi i një qytetari që prej tre vitesh po lufton me kancerin. Ai deklaroi se nuk kishte dalë në protestë për mëshirë, por për drejtësi, ndërsa njoftoi se nga kjo ditë do të qëndrojë para Kryeministrisë pa u larguar deri sa, sipas tij, të dëgjohet zëri i qytetarëve.

Sot nuk jam këtu për të kërkuar mëshirë, por drejtësi. Prej 18 ditësh po protestojmë. Po ju flas si një person që prej tre vitesh lufton me kancerin, ndërsa shpirti im lufton me një kancer edhe më të madh, korrupsionin dhe shkatërrimin”, u shpreh ai.

Qytetari u bëri thirrje shqiptarëve të mos qëndrojnë indiferentë dhe të bashkohen me protestën, duke paralajmëruar se do të qëndrojë në shesh ditë e natë.

Që sot nuk do të largohem nga ky shesh. Do të jem këtu ditë e natë deri sa të na dëgjohet zëri. Ose do të ngrihemi, ose nesër do të jetë vonë”, deklaroi ai.

Mes protestuesve foli edhe një pensionist, i cili akuzoi kryeministrin Edi Rama për shpopullimin e vendit dhe gjendjen e rëndë ekonomike të të moshuarve.

Ai tha se pensionet në Shqipëri mbeten ndër më të ulëtat dhe se largimi masiv i shqiptarëve po dëmton të ardhmen e vendit.

Sot bëj thirrje që shqiptarët të thërrasin intelektualë dhe idealistë që janë sprovuar para këtij regjimi antikombëtar. Pensionistët kanë pensione më të ulëta se në Afrikë. Edi Rama i ka prerë rrënjët kombit duke bërë gjenocid me largimin e shqiptarëve”, tha ai.

Një tjetër protestues paraqiti disa propozime konkrete për organizimin e lëvizjes qytetare, duke argumentuar se protesta duhet të shndërrohet në një strukturë të qëndrueshme që monitoron pushtetin dhe reagon ndaj çdo padrejtësie.

Sipas tij, pasuritë kombëtare, tokat dhe bregdeti po trajtohen si pronë private, ndërsa qytetarët po humbasin kontrollin mbi territorin dhe burimet e vendit.

Tokat dhe bregdeti po trajtohen si plaçkë, por ato janë tonat. Territori është pasuria e përbashkët dhe nuk duhet të humbasim kontrollin mbi të”, deklaroi ai.

Protestuesi kërkoi dorëheqjen e qeverisë dhe propozoi krijimin e një Sindikate Kombëtare qytetare, e cila do të ngrihej sa herë që cenohen interesat publike.

Sot duhet një hap që e kthen energjinë e popullit në alternativë. Kërkojmë dorëheqjen e kësaj qeverie. Shqipëria nuk ka nevojë për individë që ankohen, por për njerëz që dinë të veprojnë së bashku. Askush nuk do ta ndryshojë Shqipërinë për ne, duhet ta bëjmë vetë”, u shpreh ai.

Protesta para Kryeministrisë vijon të mbledhë qytetarë nga grupmosha dhe shtresa të ndryshme, ndërsa organizatorët këmbëngulin se lëvizja tashmë ka kaluar kufijtë e kundërshtimit të projektit në Zvërnec dhe është shndërruar në një kauzë më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike shqiptare. Mes thirrjeve që dominuan edhe sot ishin “Rama ik”, “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëri e re”.

protesta

Lini një Përgjigje