TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Qershor 2026, 21:48

Mbyllet protesta para Kryeministrisë, qytetarët bllokojnë rrugët; nesër paralajmërohet një tjetër tubim!

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllet protesta para Kryeministrisë, qytetarët bllokojnë
Protesta

Pas disa orësh tubim para Kryeministrisë, protestuesit u shpërndanë duke paralajmëruar përshkallëzim të aksionit qytetar në ditët në vijim.

Protesta e zhvilluar pasditen e sotme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka përfunduar pa incidente pas më shumë se 3 orësh, ndërsa protestuesit janë shpërndarë.

Në përfundim të tubimit, organizatorët deklaruan se do bllokojnë akset rrugore në zona të ndryshme të Tiranës.

Protestuesit kanë nisur të marshojnë dhe të vendosen në sheshin kryesor të kryeqytetit, në Sheshin “Skënderbej”.

Edhe pas zhvendosjes në qendër të Tiranës, tensioni dhe vendosmëria e pjesëmarrësve ka mbetur e lartë. Thirrjet e qytetarëve kanë vijuar me të njëjtat tone të ashpra, ku kryefjalë mbeten:

-Mbrojtja e territorit shqiptar nga vendimmarrjet e qeverisë.

-Kërkesa e prerë për dorëheqjen e kabinetit qeveritar të udhëhequr nga Edi Rama.

Marshimi drejt Sheshit “Skënderbej” shënon një tjetër moment kulmor të këtij tubimi, ku qytetarët po tregojnë qëndrueshmëri duke mos u larguar edhe pas orëve të tëra në këmbë.

Gjatë protestës, qytetarët artikuluan kërkesa kundër qeverisë dhe projektit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ndërsa nuk munguan pankartat, flamujt kombëtarë dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, lëvizja qytetare duket se ka marrë tashmë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Krahas Tiranës dhe Zvërnecit, protesta dhe tubime mbështetëse janë zhvilluar edhe në qytete si Vlora, Korça dhe Elbasani, ndërsa jehona e saj është shtrirë edhe jashtë vendit, me organizime dhe mbështetje nga diaspora shqiptare, përfshirë Mynihun në Gjermani.

Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen gjatë mbrëmjes ishte edhe prania e ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili u pa mes protestuesve në bulevard.

Protestuesit theksuan se mobilizimi do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, duke bërë thirrje për pjesëmarrje më të gjerë në aksionet e ardhshme. Sipas tyre, protesta e nisur për kundërshtimin e projektit në Zvërnec është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare kundër qeverisë dhe mënyrës së qeverisjes në vend.

protesta

Lini një Përgjigje