TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Korrik 2026, 11:15

Mediat e huaja jehonë protestës para Parlamentit: Provë e fortë për Ramën, qytetarët kërkojnë dorëheqjen

Shkruar nga Pamfleti

Reuters, Der Spiegel dhe Sky News raportojnë për përplasjet mes protestuesve dhe policisë, ndërsa theksojnë se lëvizja qytetare është shndërruar në një protestë kundër qeverisë.

Mediat e huaja jehonë protestës para Parlamentit: Provë e
Mediat e huaja jehonë protestës para Parlamentit

Protesta e zhvilluar një ditë më parë para Kuvendit të Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Agjencia Reuters, revista gjermane Der Spiegel dhe media britanike Sky News kanë raportuar për përplasjet mes protestuesve dhe policisë, si edhe për kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Reuters e përshkruan protestën si një provë për qeverinë e Ramës, duke theksuar se demonstruesit e akuzojnë ekzekutivin për korrupsion dhe mungesë transparence në projektet zhvillimore.

"Protestat janë një provë për kryeministrin Edi Rama, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013 dhe të cilin shumë e fajësojnë për korrupsionin ose për mosbërjen e mjaftueshme shërbimeve bazë si kujdesi shëndetësor", shkruan Reuters.

Sipas agjencisë, protesta u shoqërua me tensione pasi policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Protestuesit hodhën vezë dhe miell në drejtim të forcave të rendit dhe deputetëve, ndërsa pati edhe të plagosur gjatë përplasjeve.

Reuters nënvizon se protesta nisi si reagim ndaj projekteve të zhvillimit në bregdet, por më pas u zgjerua në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.

Edhe Der Spiegel raporton se pakënaqësia qytetare ka kaluar tashmë kundërshtimin ndaj një projekti të vetëm dhe është kthyer në një protestë kundër qeverisë së Edi Ramës.

Sipas revistës gjermane, protestuesit tentuan të bllokonin hyrjen e Parlamentit, ndërsa hodhën vezë dhe miell drejt policisë. Forcat e rendit ndërhynë edhe me sprej me piper për të shpërndarë turmën.

Artikulli ndalet edhe te projekti për ndërtimin e strukturave turistike në Gjirin e Zvërnecit dhe ishullin e Sazanit, investim i lidhur me një kompani të Jared Kushner. Der Spiegel sjell edhe shqetësimet e organizatave mjedisore, të cilat paralajmërojnë për ndikimin që projekti mund të ketë në deltën e lumit Vjosa dhe lagunën e Nartës.

Revista thekson gjithashtu se protestat janë pagëzuar nga mediat si "Revolucioni i Flamingove", ndërsa flamingoja është kthyer në simbol të lëvizjes.

Jehonë protestës i ka kushtuar edhe media britanike Sky News, e cila raportoi për përplasjet mes protestuesve dhe policisë gjatë tubimit të së enjtes para Parlamentit.

Sipas Sky News, policia përdori gaz lotsjellës, sprej me piper për të shpërndarë demonstruesit, pasi disa prej tyre hodhën gurë, vezë dhe shishe plastike drejt efektivëve. Media britanike shkruan se autoritetet njoftuan për 12 policë të plagosur dhe 18 protestues të ndaluar.

Artikulli thekson se demonstratat janë pjesë e protestave të përditshme të njohura si "Revolucioni i Flamingove", të cilat nisën pas kundërshtimeve ndaj projektit për një resort luksoz në Lagunën e Nartës, ndërsa më pas u shndërruan në protesta më të gjera kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Sky News raporton se qindra protestues u mblodhën para Parlamentit duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe duke brohoritur "Rama duhet të shkojë në burg". Media britanike përmend gjithashtu se disa demonstrues dëmtuan një automjet policie duke përdorur një pjesë të një barriere metalike, përpara ndërhyrjes së forcave të rendit.

Në artikull citohet edhe protestuesja Agustela Thoma, e cila deklaroi se qytetarët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet.

Sky News sjell edhe qëndrimin e qeverisë, sipas së cilit resorti i planifikuar konsiderohet një projekt me rëndësi për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, ndërsa evidenton kundërshtimet e organizatave mjedisore, të cilat paralajmërojnë për pasojat që investimi mund të ketë mbi ekosistemin e zonës.

Media britanike publikon edhe reagimin e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili dënoi dhunën ndaj efektivëve të policisë.

"Policët janë shërbyes publikë, qytetarë të Republikës dhe anëtarë familjesh si të gjithë të tjerët. Ata i shërbejnë ligjit, rendit publik dhe sigurisë së çdo qytetari, pa dallim. Një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj shtetit", deklaroi Lamallari, sipas Sky News.

Raportimet e Reuters, Der Spiegel dhe Sky News e paraqesin protestën si një zhvillim që ka kaluar kufijtë e kundërshtimit ndaj projekteve turistike dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë politike, ku kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama.

 

1 Komente

  1. J
    Jeta

    Lideri global! Ky edhe te vjedh edhe te rraf. Deri kur?

    Lini një Përgjigje