
Aktori Gent Bejko iu bashkua protestës qytetare që po zhvillohet para Kryeministrisë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur në ditën e 10-të të mobilizimit kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij para protestuesve, Bejko akuzoi qeverinë për përpjekje për të përçarë qytetarët dhe i bëri thirrje pjesëmarrësve të mos heqin dorë nga kauza e tyre.
“Regjimi nuk ka ndryshuar. Duan t’ju përçajnë, duan t’ju fusin lloj lloj plehrash. Këta nuk mund të tallen me ne”, deklaroi ai.
Aktori foli edhe për vendimin e tij për t’u larguar nga Shqipëria, duke e lidhur atë me kundërshtimin ndaj sistemit politik.
“Ika nga Shqipëria se nuk doja t’ia shisja shpirtin shejtanit. Këta nuk mund të tallen me lotët e nënave, ndërsa nënat e tyre tregojnë varëset e floririt”, u shpreh Bejko.
Në vijim të fjalimit, ai sulmoi ashpër klasën politike, duke pretenduar se qytetarët po përballen me padrejtësi dhe presione, ndërsa pushteti po humbet kontaktin me realitetin e përditshëm të njerëzve.
“Ne nuk jemi të shitur, këta janë që ia kanë shitur shpirtin shejtanit. Karagjozë që mendojnë se bëjnë stand-up me njerëzit e administratës”, tha aktori.
Bejko kundërshtoi gjithashtu narrativën sipas së cilës Shqipëria ka nevojë për dikë që ta çojë drejt Europës, duke theksuar se qytetarët shqiptarë janë vetë pjesë e vlerave europiane.
“Këta kanë frikë. Thonë kush do na fusë në Europë. Ne jemi Europa, ne jemi europianë”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.
Aktori ngriti shqetësimin edhe për largimet nga puna dhe klimën e frikës që, sipas tij, po përjetojnë shumë qytetarë.
“Pushojnë njerëz nga puna... Po nuk folëm ne, kush do flasë? Ne duhet të flasim”, tha Bejko.
Në fund të fjalës së tij, aktori u bëri thirrje protestuesve të ruajnë unitetin dhe të mos lejojnë përçarjen.
“Qëndroni bashkë”, ishte mesazhi me të cilin aktori mbylli fjalimin para turmës së mbledhur në bulevard.
Lini një Përgjigje