Situata e krijuar nga zjarri që ka përfshirë zonën pranë rrjedhës së lumit Shkumbin, afër Landfillit dhe Inceneratorit të Elbasanit, është rënduar gjatë orëve të fundit. Flakët vazhdojnë të jenë aktive, duke rritur rrezikun për përhapjen e tyre drejt fushës së depozitimit të mbetjeve.
Edhe pse ekipet zjarrfikëse ndodhen prej orësh në terren, zjarri nuk është vënë ende nën kontroll. Sipas informacioneve nga vendngjarja, flakët janë afruar ndjeshëm pranë zonës së mbetjeve, duke e bërë situatën veçanërisht shqetësuese.
Strukturat e emergjencës po përqendrojnë përpjekjet në izolimin e vatrave aktive dhe krijimin e korridoreve mbrojtëse për të penguar depërtimin e zjarrit në landfill.
Në mbështetje të operacionit janë aktivizuar edhe sistemet hidrante të Landfillit të Elbasanit, të cilat po përdoren për furnizimin me ujë të mjeteve zjarrfikëse dhe për përballimin e flakëve.
Ndërkohë, temperaturat e larta dhe kushtet atmosferike në zonë po e bëjnë më të vështirë punën e forcave operacionale, të cilat vijojnë monitorimin e situatës në terren.
Prioriteti kryesor mbetet mbrojtja e fushës së mbetjeve dhe parandalimi i një incidenti me pasoja më të gjera për mjedisin dhe zonat përreth.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin qarkullimin pranë zonës së prekur nga zjarri deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive.
Lini një Përgjigje