Franca dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje strategjike për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kievit, e cila parashikon blerjen nga Ukraina të 16 avionëve luftarakë Rafale, sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore dhe një pakete të gjerë teknologjike e ushtarake.
Lajmin e bëri të ditur presidenti francez Emmanuel Macron, pas samitit të "Koalicionit të të Vullnetshmëve" të mbajtur në Paris, ku morën pjesë rreth 20 liderë evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kryeministrin polak Donald Tusk.
Macron njoftoi se Ukraina do të blejë 16 avionë Rafale, ndërsa dërgesat e para pritet të realizohen në vitet 2028-2029, kur avionët do të jenë operacionalë në hapësirën ajrore ukrainase.
Përveç avionëve, Franca do të furnizojë Kievin me sisteme të gjeneratës së re SAMP/T, të zhvilluara bashkërisht nga Franca dhe Italia, për të forcuar mbrojtjen kundërajrore të vendit.
Paketa përfshin gjithashtu dorëzimin e radarëve modernë dhe dhënien e licencave që do t'i mundësojnë Ukrainës të prodhojë në territorin e saj bomba të tipit AASM, raketa kundërajrore Aster 30 dhe raketa lundruese SCALP.
"Jemi të vendosur të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën edhe më shpejt dhe edhe më fuqishëm", deklaroi Macron pas përfundimit të samitit.
Nga ana e tij, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se "ka ardhur koha t'i jepet fund kësaj gjakderdhjeje të panevojshme në Ukrainë".
Koalicion evropian për mbrojtje kundër raketave balistike
Një nga vendimet kryesore të samitit ishte krijimi i një koalicioni të ri mbrojtës mes nëntë vendeve evropiane dhe Ukrainës për zhvillimin e një sistemi të përbashkët kundër raketave balistike.
Nismës iu bashkuan Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe, Danimarka, Holanda, Norvegjia, Spanja, Suedia dhe Ukraina.
Sipas deklaratës së përbashkët, vendet do të bashkojnë industrinë e mbrojtjes, kërkimin shkencor dhe përvojën operacionale për të ndërtuar një kapacitet të përbashkët evropian kundër raketave balistike.
Macron tha se nisma do të realizohet përmes projektit "Freya", një program panevropian i zhvilluar nga kompania ukrainase Fire Point, i cili synon të ofrojë një alternativë më të lirë ndaj sistemeve amerikane Patriot dhe raketave franko-italiane Aster.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi samitin një "ditë historike", duke theksuar se Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë mjete të mbrojtjes ajrore përballë sulmeve të vazhdueshme ruse.
"Së bashku, brenda 12 muajve, mund ta ndërtojmë këtë sistem kundër raketave balistike", tha Zelensky, duke premtuar prodhim masiv dhe me kosto më të ulët.
Ai përsëriti se Ukraina ka nevojë menjëherë për sisteme mbrojtëse, duke theksuar se vendit i duhen rreth 100 raketa Patriot çdo muaj, ndërsa gjatë dimrit nevojat rriten deri në 300 raketa në muaj.
Forcë shumëkombëshe pas përfundimit të luftës
Macron bëri të ditur gjithashtu se forca shumëkombëshe që planifikohet të vendoset në Ukrainë pas përfundimit të luftës do të zhvillojë stërvitje ushtarake në vendet fqinje në muajt e ardhshëm, si pjesë e garancive të sigurisë për Kievin dhe për të penguar një agresion të ri rus.
Në të njëjtën kohë, vendet evropiane do të intensifikojnë bashkëpunimin për të goditur të ashtuquajturën "flotë në hije" të Rusisë, e cila përdoret për të shmangur sanksionet ndërkombëtare dhe për të financuar luftën.
Reagimi i Kremlinit
Moska reagoi menjëherë ndaj vendimeve të samitit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi "Koalicionin e të Vullnetshmëve" si një "koalicion ëndërrimtarësh dhe luftënxitësish", duke deklaruar se vendet pjesëmarrëse ushqejnë "iluzione të thella" se mund t'i shkaktojnë Rusisë një humbje strategjike.
Ju ka infektuar Rama..."do te jene operative, apo veprues, jo operacionale"