Ka nisur këtë të martë në Prrenjas protesta e paralajmëruar nga qytetarët, të cilët kundërshtojnë propozimin për reformën e re territoriale që parashikon bashkimin e mundshëm të bashkisë së tyre me atë të Librazhdit.
Dhjetëra banorë janë mbledhur në sheshin qendror të qytetit për të shprehur kundërshtimin ndaj ndryshimeve të propozuara. Ata mbajnë flamuj kombëtarë, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se protesta po zhvillohet pa simbole apo slogane partiake.
Protestuesit kërkojnë që Prrenjasi të ruajë statusin e tij si bashki më vete dhe kundërshtojnë çdo plan që parashikon bashkimin administrativ me Bashkinë e Librazhdit.
Reforma e re territoriale ka nxitur debate të shumta në javët e fundit, duke shkaktuar reagime si nga qytetarët e disa bashkive, ashtu edhe në skenën politike. Propozimi për uljen e numrit të bashkive është kundërshtuar nga opozita, e cila e konsideron të papranueshëm riorganizimin e njësive të pushtetit vendor në formën e propozuar.
Përplasjet mbi këtë çështje u reflektuan edhe në seancën plenare të së hënës, ku mazhoranca dhe opozita shkëmbyen akuza lidhur me reformën. Opozita argumentoi se reduktimi i numrit të bashkive dëmton përfaqësimin dhe shërbimet për qytetarët, ndërsa mazhoranca ka mbrojtur nismën, duke e cilësuar atë si një hap të nevojshëm për rritjen e efikasitetit të administrimit vendor.
Protesta në Prrenjas është ndër reagimet e para publike në terren ndaj propozimeve të reformës territoriale dhe pritet të pasohet edhe nga qëndrime të tjera në bashki që preken nga ndryshimet e propozuara.
Lini një Përgjigje