TAGS-AT E JAVËS

Forum22 Korrik 2026, 07:07

Dumbabistët e rinj

Shkruar nga Thoma Gëllçi

Dumbabistët e rinj

Kanë kaluar katër dekada. Sistemi komunist është rrëzuar, monumentet janë hequr dhe librat e historisë janë ndryshuar. Vetëm dëshira për t’i dhuruar ditët udhëheqësit vazhdon të jetë njëlloj si më parë...

“Shoku Enver, marrtë nga ditët e mia!”, thoshte shqiptari jo më larg se 40 vjet më parë. Shoku Enver nuk i mori vërtet ato ditë, por shqiptarëve u mori shumë vite, shumë liri dhe të drejtën për të menduar ndryshe. Megjithatë, njeriu që e thoshte këtë fjali ndihej krenar. Ishte gati t’i falte udhëheqësit edhe jetën, megjithëse udhëheqësi nuk pyeste shumë për jetën e njeriut.

Kanë kaluar katër dekada. Sistemi komunist është rrëzuar, monumentet janë hequr dhe librat e historisë janë ndryshuar. Vetëm dëshira për t’i dhuruar ditët udhëheqësit vazhdon të jetë njëlloj si më parë.

Dikush shkruante sot në rrjetet sociale se uron që Edi Rama të marrë ditë nga ditët e jetës së tij. Një tjetër deklaronte se e do Sali Berishën më shumë se babanë e vet. Njëri i fal kryeministrit jetëgjatësinë, tjetri i jep kryetarit të opozitës vendin e babait.

Këto deklarata mund të duken qesharake, por tregojnë një problem serioz për një pjesë të shoqërisë shqiptare. Pas 35 vjetësh pluralizëm, një pjesë e qytetarëve vazhdojnë të mos e shohin politikanin si punonjës të përkohshëm të shtetit. E shohin si pronar të partisë, mbrojtës të familjes, shpëtimtar të vendit dhe, kur entuziazmi rritet, edhe si pjesëtarin më të rëndësishëm të shtëpisë.

Në demokraci, qytetari zgjedh një politikan që të administrojë vendin për një periudhë të caktuar. Ai e kontrollon, e kritikon dhe e largon kur dështon. Në modelin shqiptar, militanti zgjedh kryetarin dhe pastaj kryetari zgjedh çfarë duhet të mendojë militanti.

Kur kryetari ndryshon qëndrim, ndryshon edhe mbështetësi. Kur kryetari sulmon dikë, ai e sulmon pa humbur kohë. Kur kryetari pajtohet me të njëjtin person, militanti pajtohet po aq shpejt. Nuk ka nevojë për shpjegime. Kur kryetari thotë se protesta është financuar nga Irani, militanti nuk kërkon të dijë faktet; kur kryetari ndërron mendje dhe thotë se protestën e kanë organizuar fqinjët xhelozë për përparimin, militanti e plotëson mendimin me argumente të gjetura në internet. Kur kryetari thotë se ditët e para, ato ditët që financonte Irani, protesta ishte e bukur, por tani nuk është më, militanti nuk ka asnjë dyshim për këtë. Kryetari ka menduar për të gjitha.

Në vitin 1914, përkrahësit e rikthimit të sundimit osman thërrisnin “Duam Babën”. Me “Babë” ata quanin sulltanin. Për këtë arsye u quajtën dumbabistë. Termi i përket një periudhe të caktuar historike, por mendësia që ai përshkruan nuk ka mbetur në vitin 1914.

Dumbabisti modern është i lidhur ngushtë shpirtërisht me sulltanin e partisë, megjithëse ky i fundit as e di ekzistencën e tij. Dumbabisti modern mund të pranojë se shteti është i korruptuar, ekonomia ka probleme, të rinjtë largohen dhe institucionet nuk funksionojnë. Por sapo përmendet përgjegjësia e udhëheqësit të tij, analiza përfundon. Aty fillon dashuria.

Protesta e Tiranës ka prishur qetësinë e “Babës” dhe prandaj në skenë kanë dalë me shumicë dumbabistët. Ata nuk shohin që protesta drejtohet kundër modelit politik të ndërtuar nga dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, që identifikohen prej vitesh me Edi Ramën dhe Sali Berishën. Njëri kontrollon pushtetin, tjetri kontrollon pjesën më të madhe të opozitës. Të dy vazhdojnë ta trajtojnë politikën sikur Shqipëria nuk ka prodhuar njerëz të tjerë gjatë këtyre dekadave.

Dumbabistët janë të shqetësuar, por edhe pak të hutuar. Protesta sulmon njëkohësisht pushtetin dhe opozitën tradicionale. Ajo nuk kërkon vetëm largimin e Ramës që të rikthehet Berisha. Nuk kërkon as largimin e Berishës që Rama të vazhdojë i qetë. Ajo kundërshton një sistem që i ka mbajtur shqiptarët të lidhur me dy emra, dy parti dhe të njëjtat marrëveshje politike.

Dumbabistët nuk e pranojnë këtë logjikë. Dumbabisti socialist është dakord që Berisha duhet të largohet, por vetëm me kusht që Rama të qëndrojë sa më gjatë. Dumbabisti demokrat është dakord që Rama duhet të largohet, por vetëm nëse Berisha kthehet në pushtet. Për ta, ndryshimi i sistemit është një ide e mirë, me kusht që kjo të mos prekë sulltanin e tyre.

Kjo sjellje nuk është vetëm rezultat i fanatizmit. Ajo është prodhuar edhe nga mënyra se si partitë kanë kontrolluar jetën ekonomike dhe shoqërore. Për shumë njerëz, partia nuk është vetëm bindje politike. Është vendi i punës, tenderi, leja, emërimi, ngritja në detyrë ose mbrojtja nga ligji.

Kur buka varet nga kryetari, mendimi i lirë bëhet luks. Kur puna varet nga partia, qytetari e kupton se dashuria politike është më e sigurt se kritika. Kështu është ndërtuar kulti i individit në pluralizmin shqiptar. Partitë kanë statute, kryesi, këshilla dhe kongrese. Kanë aq shumë struktura sa mund të duket se vendimet merren nga qindra njerëz. Në fund vendos njëri. Të tjerët votojnë për të provuar se janë dakord.

Në këtë sistem, deputeti nuk i jep llogari qytetarit, por kryetarit. Ministri nuk ka nevojë të jetë i suksesshëm; duhet të jetë besnik. Militanti nuk ka nevojë të kuptojë vendimin; duhet ta mbrojë. Analisti nuk ka nevojë të analizojë; duhet të gjejë arsyen pse kryetari ka gjithmonë të drejtë.

Protesta e të rinjve e kundërshton këtë model. Ajo kërkon një sistem ku politikanët të jenë të zëvendësueshëm, partitë të kenë demokraci të brendshme dhe qytetarët të mos trajtohen si tifozë të përjetshëm. Kjo kërkesë është e rrezikshme për ata që kanë ndërtuar karrierën dhe mirëqenien mbi bindjen ndaj “Babës” dhe është e papranueshme nga dumbabistët.

Prandaj ndaj protestës janë ngritur njerëz të pushtetit, përfitues të opozitës, propagandistë dhe fanatikë të të dyja palëve. Disa e sulmojnë sepse rrezikojnë interesat. Disa sepse nuk e kuptojnë. Disa sepse nuk mund të imagjinojnë Shqipërinë pa udhëheqësin që kanë adhuruar për vite.

Dumbabistët e vitit 1914 kërkonin “Babën”. Dumbabistët e diktaturës i dhuronin ditët shokut Enver. Dumbabistët e sotëm, të ndarë në dy grupe, debatojnë se cili udhëheqës meriton më shumë dashuri, më shumë jetë dhe më pak përgjegjësi. Ndërsa protesta përpiqet t’i çlirojë dhe ata me mesazhin: Ditët e jetës mbajini për vete. Politikanëve mjafton t’u jepni një mandat. Kur nuk e meritojnë, merruani edhe atë!

dumbabistët

7 Komente

  1. L
    Lere fare

    Kush tha qe eshte rrezuar sistemi komunist, ata qe bejen politike e biznes nga vijne?

    1. T
      Tony

      Jo po e kane fajin romaket, jo po bizantinet, jo po sllavet, jo po ottomanet, jo po greke e jugosllave, jo po feja, jo po komunizmi, jo po ish komunistet e nuk mbaron lista. Te gjithe sa permenda mesiper bene deme e paten shumicen e Shqiptareve bythelepires te tyre. Do i leme te shkuarat e te merremi me te sotmen se i kemi punet keq si kom e si shtet? A e kuptoni se sa injorance kemi trasheguar nga e kaluara, duke filluar qe te "akademistet", njerezit latyra ne pushtet, rritja e nje brezi, injorant pa gradim te sakte nga universitetet palaco, pa piken e dashurise e respektit per Atdheun e Shqiptarine. Te gjitha keto pasoja te sotme vertet vijne nga e shkuara e shumengjyreshe e hidhur qe sot ngre koken fitimtare mbi Shqiptaret. Ne se kohen e komunizmit do e quanim kolere e fatkeqesi, po feja qelbesire qe na u fut nga pushtuesit? Si ka mundesi qe vajzat me te bukura ne bote Shqiptaret mbajne shami ne koke e jane shpelare nga trute nga ngyresia e njerezimit feja? Kur beme dhjerokracine na u vune kushte nga bushtrat e globit, pluralizmi, feja, hiqni armet e ta ndajme fitimin bashke, na jepni falas toka, troje e ishuj se ju nuk dini e ne dime, etj, etj. Kur ka ardhur sekretari i Shtetit Amerikan ne Tirane ne bulevard ishin vetem 3 flamure amerikane. Nje prej tyre e mbaja vete, qe e bera vete me doren time se nuk kishte asgjekundi. Te gjithe ishin te deshperuar ta kishin nje ne dore por nuk kishte ne ate kohe. Keni regjistrimin nga Televizioni Shqiptar. Sa flamure Amerikane shikon ne protestat e Shqiptareve sot? Pse? Mos jane te bijte e komunisteve qe nuk i mbajne? Nje Cun Tirone, Neri, kur erdhi dhjerokracia ka thene nje llafe ari, do e respektoj cdo perseon te uzines ku punuam kur ta takoj, se na llapte goja pa dogane me njeri tjetrin e nuk hyri njeri ne burg per agjitacion e propagande e politike. Ne te gjithe Shqiperine njerezit flisnin e ishin te pakenaqur. Hej, Shqiptari eshte lindur Shqiponje e do te vdese si Shqiponje. Shqiptari nuk do e duron shtet, gardhe, taksa e ligje, eshte lindur rebel e do vdese rebel. Ne se shpirti e emri i Shqiptarit do shuhet, do te thote qe botes i ka ardhur fundi tragjik.

      1. L
        Luan

        Mentaliteti mesjetar i popullit shqiptar është elementi kryesor pengues i zhvillimit të vendit tone

        1. S
          Sonadazhe fake me porosi

          Lajmi i fundit: Sondazhi i E.Zaloshnjës sikur medemek shqiptarët duan më pak bashki. I bëjmë shqiptarët hapur fare për budallenj. Kush është ai shqiptar me mend në kokë që nuk do të marri shërbim te komuna e fshatit të vete apo te bashkia e qytetit të vet? Kush është ai shqiptar që do të sorrollatet nëpër bashki të rretheve për një shërbim? Ky sonadazh është propagandë "komuniste moderne". Dhe më e forta, te ky shkrim mni sonadazhin, gazeta tema kishte hequr komentet? Pse? Nëse njerëzit paskan votuar hapur s'e kanë problem për një koment. Po jo. Sepse del fallciteti i sondazhit. Dhe çensura është pjesë e propagandës. Në demokraci në fakt propaganda mbështetet te fakti që analistë apo tallall të qeverisë tentojnë të bindin se realiteti nuk është ashtu siç duket, por siç thotë partia, e për këtë angazhohen media, gazetarë, analistë (me sogizma e sondazhe me porosi) për shpëlarje truri. Në diktaturë përdorej edhe çensura. Këta sot si M.Baze

          1. E
            Edmafia Antishqiptari

            E SAKTE!! Mbaje miletin,popullin,TE VARFER ne se don T’I SUNDOSH. Ngjashmeri totale me 1914-ten. Te varfer atehere,te varfer edhe sot.

            1. A
              Ana

              Mire, mire, por mbetesh vetem te Konstatimi. Nuk.jep zgjidhje dhe, nese mendon se Protesta "rrezon " PS dhe PD..gabon. mendoj se nje Proteste duhet te rrembeje zemrat e njerezve jo Urrejtjen ndaj Detashmentit politik...dhe, ne etape te dyte, Krijo Parti politike, sepse keq mire,Shqiperia eshte me institucione...etj

              1. H
                Haxhi Ramili dhe Edxhi

                Vetem me mua i gjeni e gjitha te miraaaat,.......edhe pellumbat kur ju humbasiiiiin....!!!! Anennnnn!!!! Vetem une jua fut juve dhe pellumbave tuaaaaaaaj!!!! Ameeennnnn!,,,l Vetem me juve , me buke e djatthe ne torben tuaj, une pasuroooohemmmmm... Ammeeeen.... I madhi padishah me atlete: Po ke ti kulla e saraje, off shore e paketa ne maleeee, ........ kemi dhe ne buke e djatheeeeee.....!.....Rrofsh ti dhe Tao, Ulsiu e Brahooooo....ammeennnn! Rrofshin edhe vilat dhe kullat e tyre e te Xenit, se na sjellin neve fitimeeee ne miliona eurooooooo!....si ato 4 milionet qe i falet atij kengetarit e do sjellin mbi 100 milione.... Ameeen. Keshtu ata qe do tu japesh malet, ( ku ish pronaret do qeverisin halet) nje rrenje molle te mbjellin, ajo nuk do lidhi kokrra, por ne vend te tyre kartmonedha 100 euroshe. Me ty do shkelqeje Sazani, Zverneci, dhija e keciiiii, Thethi e Valbonaaaa, Me ty do jene te kenaqur Kinezi e Rusi, Ceku e Cifuti, trafikanti e hajdutiiiiiiiii!!! Me ty, sigurisht, si do ti do behet, Shqiperia mund te kthehet edhe ne nje shprehje gjeografike! Me tyja madheri, fitojne te gjithe, vetem ata qe ikin ne arrati dhe pensionistet nuk fitojne, po pune e madhe. Ata qe ikin jane "kalamaj" 25 vjecare e ata pensionistet jane ashtu si i do ti, ne prag te pensionit perjeteshem....Cfare i do? Ndaj dum baben te na rrije ne krye tane jeten e jeteve!!!!

                Lini një Përgjigje