
Organizatorët e protestës përsëritën edhe këtë të enjte kërkesat e tyre, duke ritheksuar se ato mbeten të pandryshuara dhe të panegociueshme deri në plotësimin e tyre.
Nga podiumi i protestës u lexua edhe një herë platforma me pesë pika, ku kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i të gjithë kabinetit qeveritar.
"Edhe sot, siç kemi bërë çdo ditë tjetër, përsërisim kërkesat që kanë dalë nga ky shesh prej më shumë se tre javësh. Po dalim para jush me këtë deklaratë politike të një proteste mbarëpopullore dhe paqësore", u tha në fillim të deklaratës.
Sipas protestuesve, largimi i qeverisë duhet të pasohet nga krijimi i një qeverie teknike, tranzitore dhe jopartiake me mandat 12-mujor, e cila do të ketë si detyrë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
"Kërkojmë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të gjithë qeverisë. Kërkojmë krijimin e një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12 muaj, që do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të paprekura", u shprehën organizatorët.
Një tjetër pikë e platformës lidhet me ndryshimet kushtetuese. Protestuesit kërkojnë që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit, ndërsa propozojnë që këto ndryshime të miratohen përmes një referendumi popullor.
Paketa përfshin ndryshimin e Kodit Zgjedhor, rishikimin e ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Në deklaratë u kërkua gjithashtu shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe atë për trashëgiminë kulturore, anulimi i "Paketës së Maleve", si dhe heqja e kuadrit ligjor për investimet strategjike.
"Kërkojmë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e hartuar pas konsultimit me intelektualë, ekspertë dhe qytetarë jopartiakë", u theksua gjatë leximit të platformës.
Në përfundim, organizatorët deklaruan se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e plotë të kërkesave.
"Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre. Kërkojmë një Shqipëri të re!", thanë ata.
Lini një Përgjigje