TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Qershor 2026, 19:38

Vijon presioni ndaj protestës/ Pas sulmeve dhe intimidimeve, Rama procedon penalisht Dritan Goxhajn

Shkruar nga Pamfleti
Vijon presioni ndaj protestës/ Pas sulmeve dhe intimidimeve, Rama procedon
Dritan Goxhaj

Edi Rama duket se i është qepur këmba këmbës Dritan Goxhajt. Pas sulmeve dhe intimidimeve publike, duket se ka vënë në lëvizje edhe policinë. Sot policia njoftoi se ka proceduar 11 persona për protestën e një dite më parë dhe mes tyre është Dritan Goxhaj.

Sipas policisë, ai dyshohet se ka drejtuar protestuesit jashtë itinerarit dhe perimetrit të njoftuar për zhvillimin e tubimit.

Goxhaj ishte një nga personat që mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar të hënën përpara Kryeministrisë, ku lexoi pesë kërkesat e protestuesve. Mes tyre ishte edhe kërkesa për dorëheqjen e pakushtëzuar të kryeministrit Edi Rama.

Kryeministri Rama e sulmoi duke thënë se protesta është e ndikuar nga interesa të lidhura me Iranin dhe duke akuzuar drejtpërdrejt Goxhajn si të lidhur me Iranin. Nga ana tjetër, organizatorët dhe pjesëmarrësit në protestë i kanë kundërshtuar këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara dhe duke theksuar se protesta është një nismë qytetare.

Një ditë më parë, Goxhaj u paraqit në ambientet e Policisë së Shtetit, ku u mor në pyetje nga oficerë të njësisë Antiterror në lidhje me një deklaratë të bërë prej tij disa muaj më parë gjatë emisionit "Quo Vadis" në televizionin Vizion Plus. Pas përfundimit të marrjes në pyetje, ai u largua i lirë.

Në një intervistë të dhënë ditën e djeshme për "Pamfleti", Goxhaj komentoi për herë të parë deklaratat e kryeministrit, duke thënë se nuk kishte ndërmend të merrej me gjuhën e përdorur prej tij.

"Nuk kam ndërmend të merrem me gjuhën e kryeministrit. Sulmet ndaj meje kanë vetëm një qëllim: të largojnë vëmendjen nga thelbi i protestës dhe kërkesat e qytetarëve", u shpreh Goxhaj.

Ai shtoi se i cilëson këto sulme si pjesë të një mentaliteti të vjetër politik dhe që etiketon si “armik” këdo që shpreh një mendim ndryshe nga ai i pushtetit.

Lini një Përgjigje