TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Maj 2026, 12:46

U ekzekutua nga grupet mafioze shqiptare, flet nëna e parukierit italian: Kam vetëm një pyetje

Shkruar nga Pamfleti
U ekzekutua nga grupet mafioze shqiptare, flet nëna e parukierit italian:
Parukieri italian që u vra nga grupet kriminale shqiptare dhe nëna e tij

Një organizatë kriminale e trafikut të drogës, e drejtuar nga Igli Kamberi, dyshohet nga autoritetet italiane si përgjegjëse për rrëmbimin dhe ekzekutimin mafioz të 26-vjeçarit Francesco Diviesti në Itali.

I riu, i cili punonte si parukier, u zhduk më 25 prill 2025 në Barletta, ndërsa trupi i tij u gjet katër ditë më vonë në një zonë guroreje mes Minervinos dhe Canosas.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Barit dhe strukturave antimafia, Diviesti dyshohet se u vra pas një konflikti të lidhur me një borxh droge prej disa qindra eurosh. Hetuesit besojnë se ai u mor me forcë nga disa persona dhe më pas u ekzekutua me armë zjarri. Pas krimit, trupi i tij u dogj me qëllim fshehjen e gjurmëve dhe përçimin e një mesazhi frikësues në botën kriminale.

“Nga sot dimë se djali ynë u vra nga njerëz të rrezikshëm”. Kështu është shprehur Maria Marzocca, nëna 26-vjeçarit, shkruajnë mediat.

“Për ne kjo është përgjigjja e shtetit që prisnim prej një viti”, tha ajo, ndërsa shprehu tronditjen pasi hetimet zbuluan lidhje me mafian shqiptare dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.

“Kam vetëm një pyetje: çfarë lidhjeje kishte djali im me këto rrethana?”, u shpreh nëna e të riut, duke theksuar se Francesco ishte i padënuar, punonte si parukier në biznesin e të atit dhe ishte vetë baba.

Për këtë ngjarje janë arrestuar Igli Kamberi, Nicola Di Benedetto dhe Antonio Lanotte, të cilët akuzohen si autorët e drejtpërdrejtë të vrasjes. Ndërkohë, dy persona të tjerë janë vënë nën masa sigurie për favorizim dhe fshehje informacioni.

Sipas hetimeve, grupi kriminal i drejtuar nga Kamberi operonte prej kohësh në trafikun e drogës në rajonin e Puglias, ndërsa të ardhurat e dyshuara kriminale transferoheshin në Shqipëri për t’u pastruar. Në kuadër të operacionit, autoritetet italiane kanë sekuestruar qindra mijëra euro.

Në të njëjtën kohë me arrestimet në Itali, janë ekzekutuar masa sigurie edhe në Shqipëri, në bashkëpunim mes SPAK dhe autoriteteve italiane antimafia, të cilat po hetojnë lidhjet ndërkombëtare të organizatës kriminale.

Lini një Përgjigje