Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:
Prokurori kilian Juan Castro Bekios ka ngritur alarmin për ndikimin e organizatave kriminale shqiptare dhe “Ndrangheta”-s në trafikun ndërkombëtar të drogës, duke deklaruar se sekuestrimet në Kili kanë arritur në vlera shumë të larta dhe se portet strategjike po luajnë rol kyç në luftën kundër narkotikëve.
Në Shqipëri, ish-presidenti Ilir Meta ka deklaruar nga paraburgimi se në dosjen CEZ–DIA mbrojtja e tij do të thërrasë rreth 100 dëshmitarë, përfshirë edhe shtetas të huaj dhe figura të lidhura me lobime në SHBA.
Ndërkohë, në Gjykatën Administrative po zhvillohet procesi ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj për padinë ndaj prokurorit Ols Dado, ku gjykata ka vendosur që seanca të mos transmetohet live.
Në një tjetër zhvillim, Gjykata e Apelit të GJKKO-së ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Ilir Selmanin, të akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos, duke e kaluar nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.
Në Tiranë dhe Elbasan, vijojnë hetimet për vrasjen e Eglant Koçit, trupi i të cilit është gjetur në gjendje dekompozimi, ndërsa autori i dyshuar është në kërkim.
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë për vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Çakrin pas incidentit të dhunshëm në sallën e gjyqit.
Policia ka paralajmëruar për përhapjen e “edibles” me kanabis, që paraqesin rrezik të lartë për fëmijët, ndërsa në Rrushkull të Durrësit është zbuluar një laborator për falsifikimin e dokumenteve.
Në Vlorë janë gjetur armë dhe granata të dyshuara të braktisura prej vitesh, ndërsa në Itali është arrestuar sërish një 23-vjeçar shqiptar që ishte arratisur për pak orë nga burgu i Brindisit.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur edhe kalimin drejt monitorimit të trafikut me teknologji si radarë dhe dronë për rritjen e sigurisë rrugore.
Lini një Përgjigje