TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Korrik 2026, 10:15

Vala e të nxehtit godet Shqipërinë, Porja: Dy ditët kur temperaturat arrijnë në 40 gradë

Shkruar nga Pamfleti

Vala e të nxehtit godet Shqipërinë, Porja: Dy ditët kur

Shqipëria pritet të përballet me një valë të fortë të nxehti gjatë pjesës së dytë të korrikut. Sipas meteorologes Lajda Porja, temperaturat do të nisin të rriten nga e marta, ndërsa kulmi i vapës pritet të regjistrohet të enjten dhe të premten, kur në disa qarqe termometri mund të arrijë deri në 40 gradë Celsius, ndërsa në zona të izoluara edhe më shumë.

Në një intervistë për "Ora News", Porja tha se gjysma e dytë e muajit do të jetë dukshëm më e nxehtë se ditët e para të korrikut.

"Presim që pjesa e dytë e korrikut të jetë shumë më e nxehtë sesa pjesa e parë. Ne kemi parë që të paktën në dhjetëditëshin e parë korriku ka pasur temperatura më normale, kemi qenë në vlerën 33-34 gradë, duke përjashtuar fundjavën e cila solli një tendencë të rritjeve të temperaturave. Parashikohet sot një maksimum prej 35 apo 36 gradësh. Megjithatë, që nga nesër, pra nga e marta dhe në vijim ne presim rritje të mëtejshme.

Të martën presim 37 gradë, 38 të mërkurën, do të jetë dita e enjte dhe e premte që do të shënojë 40 gradë në disa qarqe të Shqipërisë: në Shkodër, në Berat, në Gjirokastër, Elbasan. Kemi temperatura mjaft të larta në Tiranë, në Fier, në Lushnje ku termometri aty luhatet nga 36 në 38 apo 39 gradë. Kemi temperatura deri në 36 gradë përgjatë vijës së bregdetit dhe temperatura 32 gradë në zonat malore. Megjithatë ne presim që e gjithë java të jetë e nxehtë, duke filluar nga e marta deri të dielën", tha ajo.

Sipas meteorologes, temperaturat më të larta do të regjistrohen në qarqet e Shkodrës, Beratit, Gjirokastrës, Elbasanit, Tiranës, Fierit dhe Lushnjës. Ndërkohë, në zona si Kopliku, Belshi, Cërriku, Ura Vajgurore dhe Lazarati, termometri mund të kalojë edhe mbi 40 gradë.

Porja paralajmëroi gjithashtu se moti i qëndrueshëm, mungesa e reshjeve dhe era do të rrisin rrezikun për përhapjen e zjarreve, veçanërisht në veriperëndim dhe jugperëndim të vendit.

"Pra pritet, si të thuash, një 15 ditësh shumë i qëndrueshëm për të gjithë ata që kanë zgjedhur t'i bëjnë pushimet përgjatë pjesës së dytë të korrikut, sepse nuk parashikohet që të ketë reshje sidomos në vijën bregdetare dhe parashikohen temperatura shumë të larta. Do të thosha që herë pas here prezenca e erës, era do jetë edhe gjatë kësaj jave herë mesatare por në ndonjë moment edhe e fortë, do të sjellë probleme përsa i përket vatrave të zjarreve në zonat e Shqipërisë", u shpreh Porja.

Meteorologia u bëri thirrje qytetarëve të shmangin daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj temperaturave ekstreme.

"Duhet thënë kjo, lëvizjet nga ora 11:00 deri në orën 3 e gjysmë apo 4 të pasdites duhet të jenë pak të kontrolluara, për të gjithë ata që nuk e kanë të nevojshme për të dalë, për të gjithë ata që dalin për në punë të përpiqen të ecin nëpër hije, të jenë të hidratuar, të jenë me ujë me vete, për ta kaluar këtë nxehtin sa më lehtë. Është mjaft e drejtë ajo çfarë the në fillim, kur ne themi normal ka kohën, por një temperaturë 40 gradë e matur në hije është e barabartë me 46 gradë në diell", u shpreh meteorologia.

Sipas parashikimit, një freskim i lehtë pritet rreth datës 20 korrik, kur temperaturat mund të zbresin në 34-35 gradë. Megjithatë, masat e nxehta do të rikthehen sërish, duke bërë që fundi i korrikut të mbetet nën ndikimin e temperaturave të larta.

Lini një Përgjigje