Gjykata e Posaçme konstatoi mangësi në formulimin e akuzës për ish-kryebashkiakun e Kavajës. Elvis Roshi hetohet për shpërdorim detyre në dy procedura tenderimi të vitit 2014, me një dëm ekonomik të përllogaritur nga KLSH në 33 milionë lekë.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kthyer sërish SPAK-ut dosjen hetimore të ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, ku kërkon saktësimin e akuzës penale.
Gjyqtarja Rudina Palloj, pasi dëgjoi palët në seancë, vlerësoi se organi i akuzës duhet të qartësojë formulimin e akuzës. Edhe më herët, GJKKO i kishte lënë kohë prokurorit të rregullonte mënyrën se si ishte ndërtuar akuza ndaj të pandehurit.
Avokati mbrojtës, Andi Skënderi, kundërshtoi procedurën e ndjekur nga SPAK, duke argumentuar se gjetjet e prokurorisë, kohëzgjatja e hetimeve dhe ngritja e akuzës nuk janë në përputhje me afatet procedurale.
Gjykata nuk i bëri publike arsyet e vendimit gjatë seancës. Detyrat e lëna për SPAK-un pritet t'u komunikohen palëve pas zbardhjes së plotë të vendimit.
Elvis Roshi akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me dy procedura tenderimi të zhvilluara në vitin 2014, njëra prej tyre për shërbimin e pastrimit të qytetit të Kavajës.
Sipas auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, procedurat kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh.
Lini një Përgjigje