TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Korrik 2026, 20:13

Protestuesit i përgjigjen Ramës: S'ka besë për ty, pas dorëheqjes të pret burgu!

Shkruar nga Pamfleti
Protestuesit i përgjigjen Ramës: S'ka besë për ty, pas
Rama dhe protestat masive

Nga protesta e ditës së 55 para Kryeministrisë, qytetarët hodhën poshtë thirrjen e kryeministrit për reflektim dhe "Besën", duke deklaruar se kërkojnë jo vetëm dorëheqjen e Edi Ramës, por edhe përballjen e tij me drejtësinë.

Protestuesit i janë përgjigjur drejtpërdrejt deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së tha se do të reflektojë mbi kërkesat e qytetarëve dhe prezantoi platformën "Besa".

Nga podiumi i protestës para Kryeministrisë, një prej aktivistëve deklaroi se Rama nuk mund të kërkojë besën e shqiptarëve, pasi sipas tij, "e ka prerë atë për 13 vite" dhe nuk ka reaguar ndaj protestës edhe pas 55 ditësh tubime të pandërprera.

"Sot është dita e 55 që jemi në shesh pa ndalim për të kërkuar dorëheqjen e këtij kryeministri. Kryeministri u shfaq me zë dhe figurë duke na kërkuar besën, por a i jepet besa dikujt që na ka prerë në besë për 13 vite pa ndaluar? Nuk ka besë për ty, kryeministër. Vetëm dje u preve në besë qytetarët që protestojnë prej 55 ditësh. Po përpiqesh të na frikësosh që të shkojmë në shtëpi dhe ti të vazhdosh, por ne nuk do ta lejojmë këtë pushtet kriminal", tha ai.

Sipas protestuesve, qëllimi i tubimeve nuk ka ndryshuar dhe nuk kufizohet vetëm te largimi i kryeministrit nga detyra.

"Ai e di se nuk ka shpëtim dhe i vetmi shpëtim nga ky makth është dorëheqja. Por Rama po përpiqet ta zbusë situatën dhe kërkon që pasi të japë dorëheqjen t'i shpëtojë drejtësisë. Pas dorëheqjes e pret drejtësia. Vjen edhe kërkesa e dytë, një qeveri tranzitore që sistemi të marrë oksigjen dhe të mundësohet demokracia që është marrë peng nga sistemi i inkriminuar", tha aktivisti.

Në podium foli edhe një tjetër protestues, i cili akuzoi kryeministrin se po përpiqet të manipulojë opinionin publik, duke reaguar vetëm pas 55 ditësh protesta.

"Nëse Edi Rama donte të na dëgjonte, nuk do priste 55 ditë, nuk do na kishte sharë. Por kërkon të manipulojë. Edhe zonjën e moshuar u përpoq ta përdorte. Në vend që të mbajë përgjegjësi për dështimin e qeverisë, ai vazhdon të bëjë përpjekje të ulëta", tha protestuesi.

Protestuesit përsëritën se nuk do të ndalin tubimet derisa, sipas tyre, të realizohen dy kërkesat kryesore: dorëheqja e Edi Ramës dhe përballja e tij me drejtësinë, si edhe krijimi i një qeverie tranzitore.



 

protesta rama

Lini një Përgjigje