TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Korrik 2026, 14:19

Në përfundim të mandatit, Gonzato dekorohet nga Rama dhe falënderon shqiptarët: Shihemi në BE!

Shkruar nga Pamfleti
Në përfundim të mandatit, Gonzato dekorohet nga Rama dhe
Gonzato dekorohet nga Rama

Në përfundim të mandatit të tij trevjeçar në Shqipëri, ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, është nderuar nga kryeministri Edi Rama me dekoratën "Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike".

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonzato ndau momente nga ceremonia e vlerësimit, duke shprehur mirënjohjen për Shqipërinë dhe për shqiptarët që ka njohur gjatë shërbimit të tij në vend. Ai theksoi se Shqipëria do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij.

Në mesazhin e publikuar, ambasadori u shpreh se Bashkimi Evropian përfaqëson shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi të përbashkët, duke theksuar se ai mbështetet mbi vlera si liria, barazia, respektimi i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit.

Sipas Gonzatos, këto parime e kanë udhëhequr gjatë tre viteve të misionit të tij në Shqipëri, ndërsa shprehu mirënjohje për të gjithë shqiptarët që ka takuar dhe për mundësinë për të qenë pranë vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ai theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht përmbushjen e standardeve, duke nxitur një proces gjithëpërfshirës ku çdo qytetar të ketë mundësi të kontribuojë, institucionet të garantojnë të drejtat e secilit dhe të rinjtë të kenë rol në ndërtimin e së ardhmes së vendit.

Në fund të mesazhit, Gonzato falënderoi kryeministrin Edi Rama për dekoratën e akorduar në emër të Shqipërisë.

"Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi e përbashkët. Ai ka të bëjë me njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Këto vlera më kanë udhëhequr gjatë tri viteve të mia në Shqipëri. Jam mirënjohës për të gjithë shqiptarët e jashtëzakonshëm që kam takuar gjatë këtij rrugëtimi.

Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Kemi qenë kërkues, por të drejtë. Kemi bërë thirrje që të gjithë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi drejt një shoqërie ku secili mund të japë kontributin e tij, ku institucionet mbrojnë të drejtat e çdo qytetari dhe ku brezi i ri ka zërin e tij në formësimin e së ardhmes së këtij vendi të bukur.

Faleminderit Kryeministër Edi Rama që më nderuat, në emër të Shqipërisë, me Yllin e Madh të Medaljes ‘Benemerenti’.

Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën.Shihemi në BE,”, shkruan Gonzato.

gonzato dekorohet nga rama

Lini një Përgjigje